Site icon Telegrafi

Publikohen emrat e të sanksionuarve nga SHBA-ja, në mesin e tyre edhe dy shqiptarë

Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) publikoi të hënën një listë të të sanksionuarve për vepra korrupsioni, në të cilën përfshihen shtatë persona nga Ballkani Perëndimor.

Nga Shqipëria, në listën e Departamentit të Thesarit janë: Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi.

“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”, thuhet në vendimin e Departamentit të Thesarit.

Për Ylli Ndroqin thuhet se “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.

Në Listën e Departamentit të Thesarit është edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, dhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov.

Nga Bosnje e Hercegovina janë: ish-nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Asim Sarajliq, dhe ish-kryeprokurorja Gordana Tadiq.

Dy biznesmenët shqiptarë: Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi

Svetozar Maroviq, ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, është po ashtu në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Gruevski, Mijalkov dhe Tadiq janë edhe në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Shtetit, njofton REL.

Më 8 dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq është identifikuar si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Përveç tyre, në rajonin e Ballkanit, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar më 5 janar të këtij viti edhe anëtarin serb të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Më 11 prill, Dodikun e ka sanksionuar edhe Mbretëria e Bashkuar.

Exit mobile version