Site icon Telegrafi

Publikohet lista e Shqipërisë, de Biasi pajtohet me Kaçen, por jo me Xhakën

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë nëpërmjet Twitter-it të tij dhe larg mediave shqiptare, ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen miqësore me Luksemburgun (4 qershor) dhe atë me Izraelin për eliminatoret e Botërorit të Rusisë (11 qershor).

E reja në këtë listë të teknikut italian është rikthimi në kombëtare, pas një periudhe relativisht të gjatë kohe, i Ergys Kaçes, ndërkohë që është lënë jashtë Taulant Xhaka për shkak të përplasjeve në ndeshjet e fundit me trajnerin italian.

Nuk do të jetë në radhët e kombëtares për këto dy ndeshje as Bekim Balaj, për arsye dëmtimi, ndërkohë që mungesë e rëndësishmen është edhe ajo e portierit Berisha, i cili vuan dënimin e 3 ndeshjeve pezullim.

Nuk është grumbulluar në skuadër as kapiteni Ansi Agolli, edhe ky i skualifikuar për shkak kartonëve.

Përsa i përket pjesës tjetër të skuadrës, nuk ka ndryshime.

Kështu, duke qëndruar te porta, De Biasi ka thirrur sërish Strakoshën, Hoxhën dhe Shehin.

Në repartin e mbrojtjes Elseid Hysajt i bashkohen Aliji, Ajeti, Gjimshiti, Veseli, ndërsa në mesfushë, përveç Kaçes, janë edhe Basha, Memushaj, Roshi, Lila, Lenjani, Kukeli dhe Abrashi.

Në repartin e avancuar janë përfshirë Llullaku, Cikalleshi, Sadiku, Latifi, Grezda dhe Hyka.

Exit mobile version