Telegrafi

Publikohet kolona zanore e “Maleficent 2”, e interpretuar nga Bebe Rexha

Foto: Bebe Rexha/Instagram

Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka publikuar së fundmi këngën e saj më të re.

Bëhet fjalë për projektin muzikor me titull “You Can’t Stop The Girl” e që njëherësh është kolona zanore e filmit “Maleficent 2 “, që do të publikohet më 18 tetor.

U raportua ditë më parë se artistja shqiptare ishte e përzgjedhura e shtëpisë diskografike “Disney”, për të kënduar himnin e këtij filmi, pjesa e parë e të cilit shënoi një sukses të jashtëzakonshëm.

Bebe Rexha (Foto: Dia Dipasupil/Getty Images/Guliver)

“You Can’t Stop The Girl” është e disponueshme në të gjitha platformat e muzikës, gjersa është publikuar edhe në kanalin zyrtar të Bebe Rexhës në YouTube.

Kënga është e zhanrit baladë dhe tematika e saj i përshtatet asaj të filmit.

Ajo është publikuar në YouTube vetëm në versionin audio, gjersa së shpejti pritet të realizohet edhe nga ana vizuale.

Përkundër angazhimeve të shumta në projekte muzikore për veten e saj apo kompozimet për artistët e tjerë, Bebe Rexha, duket se po gjen kohë t’u përgjigjet edhe thirrjeve të prodhimeve të mëdha filmike, për t’u bërë zëri i tyre i kolonës zanore.

“Maleficent 2” do të jepet premierë me 18 tetor, gjersa edhe këtë herë roli kryesor i është besuar aktores së madhe me famë botërore, Angelina Jolie. /Telegrafi/