DailyMail.com e ka publikuar një video ekskluzive, në të cilën shfaqet Wayne Rooney në gjendje të dehur teksa hap një derë sigurie, për të cilën mendoi se ishte ashensor në aeroportin e Washingtonit, ndërsa më pas është arrestuar.
Ngjarja kishte ndodhur më 16 dhjetor të vitit të kaluar, kur futbollisti 33-vjeçar e kishte aktivizuar një alarm në një zonë të ndaluar, pasi kishte pirë disa kokteje alkooli dhe barna për gjumë.
Policët e kanë gjetur më pas dhe ia kanë vënë prangat, pasi kishte filluar t’i shante, dhe e kishin mbyllur në një qeli, ku ka qëndruar për katër orë derisa është kthjellur.
Autoritetet kanë thënë se ai nuk i kishte kursyer fjalët, ndërsa nuk e kishte parë shenjën e madhe ‘STOP’ për shkak se ishte shumë i dehur. Pas arrestimit, ai ishte akuzuar për dehje publike.
Më pas është gjobitur më 24 dollarë dhe është detyruar t’i paguante shpenzimet e gjykatës (91 dollarë). Ndërkohë që paguhej 395.000 dollarë në javë te DC Unitedi. /Telegrafi/