Site icon Telegrafi

Publikohen pamjet e momenteve të fundit të liderit të Hamasit

Hamasit i është eliminuar edhe një prej shumë liderëve që kohët e fundit i ka vrarë Izraeli.

Në një konferencë shtypi të enjten, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, shfaqi videon e forcave izraelite që përshkruan momentet e fundit të liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.

Videoja tregon një dron që hyn në një ndërtesë të dëmtuar, ku një person – për të cilin IDF thotë se është Sinwar – mund të shihet i ulur në një karrige. Trupi i figurës është pozicionuar larg nga droni, por duket se po shikon drejt mjetit pa pilot. Fytyra e personit është errësuar dhe ata duket se janë ulur vetëm.

Hagari tha se Sinwar ishte qëlluar në dorë, shkruan cnn.

Videoja e redaktuar e dronit tregon figurën që mban atë që IDF thekson si një copë druri, të cilën personi e hedh në drejtim të dronit.

Izraeli thotë se një dron më vonë zbuloi trupin e Sinwarit në rrënojat e ndërtesës, e cila u godit nga një tank izraelit të mërkurën.

Ndryshe, Sinwari ishte një prej arkitektëve kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, sulm që nxiti luftën në Gazë.

Ai u zgjodh udhëheqës i grupit pas vrasjes së Ismael Haniyeh në muajin korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.

Para se të merrte udhëheqjen e Hamasit, Sinwar kishte drejtuar krahun e armatosur të grupit.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Përderisa Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për disa nga vdekjet e zyrtarëve të lartë të Hamasit, ka pranuar se ka vrarë disa zyrtarë, përfshirë Saleh al-Arouriand Mohammed Deif, komandantin ushtarak të Hamasit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version