Janë publikuar pamjet e momentit kur nga një minibus ngjyrë gri hidhet trupi i pajetë i një personi në vendin e quajtur “Ura e Daljanit”, në hyrjen e portit në Durrës.
Në videon e siguruar nga “Lapsi.al”, shihet se autorët hapin derën e automjetit, që kur zhvendoset pak metra më tutje, shpaloset pamja e trupit të viktimës të lënë në mes të rrugës, pa bluzë dhe pa këpucë.
Kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen sotme në qytetin e Durrësit, u raportua fillimisht si një aksident.
Por, në informacionet paraprake të komunikuara nga Policia, evidentohej se viktima kishte shenja dhune në trup, indicie që ngriti dyshimin se kishim të bënim me një vrasje.
Policia vijon të jetë në terren për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 26.10.2019, rreth orës 20:10, në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të një karburanti, në Shkozet, shtetasi P.T, duke drejtuar një mjet autobus tip “Skania” është përplasur me motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B, 25 vjeç, banues ne lagjen nr 15 Durrës i cili ka gjetur vdekjen.
Nga këqyrja e kamerave dhe veprimet paraprake rezulton se drejtuesi i motorit si pasojë e përplasjes nga autobusi është përplasur edhe me një mjet tjetër i cili e ka spostuar trupin e viktimës nga vendngjarja.
Ndërsa motori është gjetur në vendngjarje poshtë autobusit. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.