Gjatë të martës janë publikuar në internet disa fotografi të muzikantit Keith Flint, të realizuara dy ditë para se ai të bënte vetëvrasje.
Edhe pse në skenë, ylli i “The Prodigy” dukej si një rebel agresiv dhe nga pamja e tij frikësoheshin të rinjtë, imazhet e bëra para vdekjes së tij, shfaqin një anë tjetër të këngëtarit – transmeton Sky News.
Ekipi i vrapuesve, Chelmsford Central Park, i ka publikuar fotografitë e Flintit që besohet se janë të fundit, ndërsa ishin bërë 48 orë para vdekjes.
Sipas njoftimit të këtij ekipi, muzikanti kishte vrapuar pesë kilometra dhe të shtunën kishte arritur kohën e tij më të mirë, prej 21 minutash e 22 sekondash.
“Njëri nga vrapuesit tanë më të rinj në park mjerisht ndërroi jetë. Fatkeqësisht, ai nuk arriti ta shijonte vrapimin në park më shumë herë, por shpresojmë se e ka shijuar në tri vrapimet që i ka bërë në këtë park”, shkruan në faqen e Chelmsford Central Park në Instagram.
Kujtojmë që më 4 mars, pas shqetësimeve për mirëqenien e tij, ishte thirrur policia që ta vizitonte shtëpinë e muzikantit në Essex, ku ai u gjet i vdekur në moshën 49 vjeçare.
Policia nuk e ka trajtuar vdekjen si të dyshimtë, ndërsa anëtari i grupit, Liam Howlett, kishte shkruar në rrjetet sociale se muzikanti ka bërë vetëvrasje. /Telegrafi/