Site icon Telegrafi

Publikimi i pamjeve pornografike, Griveaux heq dorë nga gara për kryetar të Parisit

Kandidati kryesor për kryebashkiakun e Parisit nga partia LREM e presidentit francez Emmanuel Macron, Benjamin Griveaux u tërhoq nga gara të premten pas publikimit në internet të videove dhe mesazheve pornografike ku shfaqet ai.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për pamje të cilat siç thuhet Griveaux i dërgoi një gruaje.

Ajo u nda shumë në mediat sociale të enjten në mbrëmje dhe të Premten në mëngjes, para deklaratës zyrtare të Griveaux.

Griveaux njoftoi largimin e tij nga gara në një video të transmetuar nga BFM TV, duke thënë se i vjen keq për “sulmet revoltuese” kundër fushatës së tij.

“Një faqe në internet dhe media sociale ka publikuar sulme revoltuese kundër meje dhe intimitetit tim”, tha Griveaux në video. “Projekti ynë për Parisin, për të cilin ekipi im i fushatës kemi luftuar, do të jetësohet pa mua”.

“Ky është një vendim i vështirë për mua, por unë nuk dëshiroj ta rrezikoj më familjen time dhe veten time”, shtoi ai.

Ai as mohoi dhe as konfirmoi se ishte krijuesi i imazheve.

Tërheqja e Griveaux nga gara është një dobësim i madh për partinë e Macron La Republique en Marche (LREM) në zgjedhjet bashkiake të Parisit.

Griveaux i tha AFP-së se ai bisedoi me presidentin Macron të enjten natën dhe se udhëheqësi e siguroi atë për mbështetjen e tij për “çdo gjë që ai zgjodhi të bënte”.

Më parë zëdhënësi i pallatit Elysee, Griveaux ka qenë një aleat i ngushtë i Macron që nga fushata e tij presidenciale në vitin 2017. /Telegrafi/

Exit mobile version