Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka reaguar në lidhje me bisedën telefonike që raportohet të jetë zhvilluar mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe terroristit, Milan Radojçiq.
Kastrati, në platformën sociale Facebook, e ka cilësuar bisedën si të papranueshme dhe ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Alo, ZEMLAKA! Për ata që po pyesin për koalicione. Me çiftin e Mimozës koalicion, a? Unë kurrë jo! NEIN!” shkruan Kastrati.
Sipas Kastratit, veprimet e Kurtit që nga viti 1999 kanë shërbyer në të mirë të interesave të Serbisë dhe Rusisë, dhe ai shton se “jo rastësisht ai ka në ekipë çiftin e Mimozës, Surroit, e nipat e mbesat e komunistëve të Jugosllavisë që me veprimet e tyre po e zhbëjnë shtetin e Kosovës.”
Kastrati vijon të sulmojë atë që ai e quan një lidhje të dyshimtë politike mes Kusari-Lilës dhe Radojçiq, duke thënë se “Duhet me qenë shumë anti-shqiptar me arsyetu bisedën e Mimozës me ‘zemlakun’ e vet!”.
Deputeti gjithashtu përmend sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Kurtit si një tregues të qartë të veprimeve të dyshimta dhe të papranueshme politike te liderit të Kosovës.
Kastrati konsideron se një ditë ata do të zgjohen nga ajo që ai e quan “anestezioni politik” dhe nuk do të vazhdojnë të përplasen “me kokë në mur”.
“Një fqinj i imi thoshte: ‘Zot jep mend aty ku ska’!”, duke sugjeruar në mënyrë të padiskutueshme se vendimet dhe veprimet e Kusari-Lilës dhe Kurtit nuk kanë asnjë lloj logjike apo arsyetimi të shëndoshë.
Lidhur me këtë më herët reagoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërsa ish inspektori i AKI-së Burim Ramadani, ka thënë se ‘raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare.
Ramadani i ka kërkuar Kusari-Lilës që të japë dorëheqje dhe të rrëfehet për të gjitha detajet e bisedës.
Ndryshe, Kosova e akuzoi Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por Beogradi zyrtari i mohoi akuzat.
Pak kohë pas sulmit, përgjegjësinë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai e kishte pranuar publikisht organizimin e sulmit, megjithatë vazhdon të jetë i lirë pasi është larguar nga Kosova pas sulmit.
Prej sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar në pjesën veriore./Telegrafi/