Site icon Telegrafi

PTK nuk i ka 20 milionë dividendë për Qeverinë

Insistimi i qeverisë për marrjen edhe të 20 milionë eurove në emër të dividendës për vitin 2015 nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), rrezikon seriozisht likuiditetin e korporatës dhe pothuajse pamundëson zhvillimin e mëtutjeshëm të saj.

Kështu thotë Arsim Bilalli, zyrtar për informim në PTK. Korporata në muajin prill i kishte paguar në formë të dividendës shumë prej 10 milion eurove . Por, për pjesën tjetër të kërkesës e ka njoftuar aksionarin se nuk do të ketë mundësi t’i sigurojë. Pavarësisht kësaj, qeveria në rishikimi i ka planifikuar disidenten në vlerë prej 30 milion euro, transmeton kosovapress.

Ndërkaq, PTK në biznes planin e vet për vitin 2015 ka paraparë një dividendë prej 10 milionë eurosh, tha Bilalli në një përgjigje elektronike.

Ai shton se PTK-së me këto kërkesa i bie të paguajë mbi 50 milionë euro të cilat janë obligime që duhet ti realizoj deri në fund të këtij viti.

Ndërsa, Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, gjatë raportimit të buxhetit të rishikuar në Komision parlamentarë për Buxhet dhe Financa ka thënë se Qeveria është aksionar i PTK-së dhe se operatori e ka të qartë këtë çështje. Madje ai pati sqaruar se në rishikim parashihen të hyra edhe nga licencat për 3 dhe 4 G.

Besa Gaxheri, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa ka potencuar se PTK është në pronësi të Qeverisë dhe se qeveria vendos për këtë aset.

Madje, ajo ka shtuar se kjo çështje as që duhet të diskutohet.
“Kur aksionar i vetëm është Qeveria edhe këto janë gjëra të cilat nuk vlen me i diskutu dhe me u lëshu në këtë nivel. Unë jam shumë skeptike se ky menaxhment do të mund të realizojë fitime 30 milionë euro sa ka planifikuar Qeveria, sepse po shihet se performanca është shumë e dobët por ne duhet të punojmë bashkërisht që performanca e kësaj kompanie të ndryshojë për mirë. Qeveria është aksionari. Ju lutem, ata janë vetëm një staf menaxhues i cili jep përgjegjësi në radhë të parë bordit e pastaj ne si Kuvend dhe Qeveri kërkojmë përgjegjësi nga bordi, kështu është sepse aksionar ose pronar është Qeveria”, tha Gaxheri.

Ndryshe, edhe vitin e kaluar PTK i ka paguar Qeverisë 30 milionë euro në emër të dividendës.

Exit mobile version