Telegrafi

‘Psikopati i famshëm’, ngacmuesi më i madh në historinë e futbollit – sot bën një jetë krejtësisht të habitshme

Vinnie Jones, i cili konsiderohet si një nga lojtarët më të dhunshëm dhe agresivë në historinë e futbollit, tani po bën një jetë të re si fermer pasi testoi edhe një tjetër talent të tij, atë si aktor në Hollywood.

Në moshën 58-vjeçare, mesfushori legjendar i Wimbledon “Mad Gang”, i cili u  quajt edhe si “Psikopati” dhe fitoi Kupën FA në 1988, ndërroi aventurën në futboll dhe famën e Hollywoodit me bujqësinë për t’u shfaqur më në fund në “Vinnie Jones: In The Country” në kanalin Discovery+.

Jones, i cili tani paraqitet si konservator, në botën e futbollit ishte një “psikopat” në fushë, i ekspozuar nga zënkat. Në një ndeshje të Kupës FA midis Chelseat dhe Sheffield United në vitin 1992, Vinnie Jones, në atë kohë lojtar i Bluve, u përjashtua nga fusha pas tre sekondash.

Gjatë karrierës së tij, Vinnie u përjashtua 12 herë dhe u ndëshkua me karton të verdhë deri në 40 herë.

Për ata që nuk e mbajnë mend, vlen të kujtojmë se ai ishte reprezentues i Uellsit, pozicioni i të cilit në fushë ishte një mesfushor defanziv. Në vend që të organizonte lojën, ai u karakterizua nga një stil i ashpër loje, me faulle të vazhdueshme ndaj rivalëve, të cilët filluan të frikësoheshin nga prania e tij në fushë.

Dhuna e tij ekstreme në luftën për topin i solli famë në mesin e tifozëve të klubeve ku luante, por në të njëjtën kohë u bë i urryer mes rivalëve të tij. Ai bëri debutimin e tij kur ishte vetëm 21 vjeç në Wimbledon, i cili hyri në Ligën e Parë të Anglisë në 1986. Në sezonin e tij të dytë, ai fitoi titullin e tij të vetëm si futbollist, kur ekipi i tij fitoi finalen e FA Cup kundër Liverpoolit.

Më pas ai luajti për Leeds, Sheffield, Chelsea, u kthye në Wimbledon dhe përfundoi karrierën e tij në Queens Park Rangers.

Një nga skenat më të paharrueshme në futbollin anglez është përleshja që pati në fushë me Paul Gascoigne.

Ndër grushtet e panumërta që ai dha gjatë karrierës së tij, një nga më të paharrueshmet ishte ajo që i dha Eric Cantonas. Çuditërisht, francezi nuk ka dashur t’i përgjigjet uellsianit.

Vinnie është lojtari i dytë me më shumë kartonë të kuq në historinë e Ligës Premier me një total prej 12, pasuar vetëm nga Roy Keane me 13.

Në fund të viteve ’90-ta, ai u akuzua për disa kërcënime dhe madje iu desh të bënte 100 orë shërbim në komunitet për sulm fizik ndaj një fqinji. Në vitin 2003 ai u dënua për fyerje të ekuipazhit gjatë fluturimit dhe në vitin 2008 u arrestua për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në një zënkë në një lokal.

Për shkak të pamjes së tij “të vrazhdë”, ai pati mundësinë të shfaqte talentin e tij në film. Regjisori i filmit Guy Ritchie e punësoi në filmin “Lock, Stock and Two Smoking Barrels”, ndonëse vetëm kur u shfaq në filmin “Snatch” me Brad Pitt, ai arriti famë botërore, duke luajtur gjithmonë rolin e një “djali të rrezikshmi”.

Filma të tjerë të famshëm në të cilët ai u shfaq janë: “60 Seconds”, “Mean Machine”, “Eurotrip Censored” dhe “X-Men: The Last Stand”. /Telegrafi/