Paris Saint-Germaini ka bërë ofertë për mesfushorin e Barcelonës, Philippe Coutinho – bën të ditur Mundo Deportivo.
Sipas gazetës spanjolle, kampioni Francës ka ofruar 270 milionë euro për shërbimet e mesfushorit brazilian.
Për prishjen e kontratës së Coutinhos ekziston një klauzolë në vlerë prej 400 milionë dollarësh, mirëpo PSG ia ka nisur ofertën njërit prej përfaqësuesve të 26-vjeçarit, në mënyrë që ai t’ua transmetojë drejtorëve të Barcelonës.
Neymari, i cili kaloi në Parc de Princes në verën e vitit të kaluar, ka shoqëri të mirë me Coutinhon dhe PSG planifikon bashkimin e tyre.
Kjo është edhe një përpjekje për ta mbajtur Neymarin, i cili kërkohet nga Real Madridi.
Philippe Coutinho iu bashkua Blaugranëve në janar të këtij viti duke u transferuar nga Liverpooli.
Barca ka paguar rreth 120 milionë euro për shërbimet e tij, ndërsa kjo shifër mund të arrijë deri në 160 milionë euro në bazë të bonuseve dhe klauzolave të ndryshme të përfshira në kontratë. /Telegrafi/