Telegrafi

PSG e do në vend të Pochettinos, Mourinho mendohet seriozisht të bëhet trajneri i ri i parisienëve

Trajneri portugez i Romës, Jose Mourinho thuhet se po e konsideron seriozisht ofertën për t’u bërë trajneri i ri i Paris Saint-Germain.

Sipas pretendimeve të mediumit talkSPORT, Mourinho mund të zëvendësojë Mauricio Pochettinon përpara sezonit 2022/23.

Mediumit britanik The Telegraph gjithashtu raporton se PSG po shqyrton një lëvizje për portugezin si menaxher të tyre të ardhshëm.

 

 

Mourinho nënshkroi një kontratë trevjeçare me Romën vitin e kaluar dhe e udhëhoqi klubin italian drejt përfundimit në vendin e gjashtë në Serie A.

Ai gjithashtu fitoi Ligën e Konferencës së Evropës, duke mundur Feyenoordin në finalen e muajit të kaluar.

59-vjeçari ka drejtuar disa nga klubet më të mëdha në futbollin botëror, duke fituar tituj të ligës në Portugali, Angli, Spanjë dhe Itali.

Ai ka katër trofe të mëdhenj evropianë në emër të tij si trajner, duke fituar Ligën e Kampionëve me Porton dhe Interin ndërsa fitoi Ligën e Evropës gjatë kohës së tij në Manchester United.

Sa i përket PSG-së, Pochettino ka qenë nën një vëzhgim intensiv në lidhje me pozicionin e tij në klub.

Kampionët e Ligue 1 mendohet se janë duke kërkuar një zëvendësues, pasi kanë identifikuar Zinedine Zidane, i cili hodhi poshtë mundësinë. /Telegrafi/