Mark Zuckerberg postoi së fundmi një foto në profilin e tij në Facebook për të festuar suksesin e Instagramit e në këtë foto, syve të vëmendshëm të internetit nuk u shpëtoi një detaj.
Në foton e shpërndarë nga mbreti i rrjeteve sociale vihet re se kamera e kompjuterit të tij portativ që mban në tavolinë është e bllokuar me një ngjitëse e po ashtu edhe mikrofoni i ambientit.
Menjëherë në forumet teknologjike thanë se kjo bëhej për shkaqe sigurie. Por sa e bazuar është frika e Zuckerberg se mos vëzhgohet e përgjohet? A ekziston rreziku që dikush tjetër të na aktivizojë kamerën e kompjuterit tonë pa e vënë re ne, apo është paranojë e themeluesit të Facebook?
“Nuk është paranojë. Ka njerëz që janë në gjendje të futen në kompjuterin tuaj dhe t’u aktivizojnë kamerën dhe të shohin se çfarë po bën. Kjo ndodh shpesh dhe jo vetëm me kompjuterët, por edhe tek kamerat e sigurisë”, thotë për Bussines Insider shefi i sigurisë së Symantec, Liam O’Murchu, transmeton tch.
Ekspertët këshillojnë që të kontrollohet periodikisht nga përdoruesit e kamerave për llojin e kodimit dhe të sigurisë që ato ofrojnë dhe nëse ky kodi është hakuar ndonjëherë.