Nga: Hannah Murphy / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një video virale të TikTok-ut, podkasteri i famshëm Joe Rogan duket se jep një mesazh për kiametin: “Të gjithë ndoshta do të vdesim në vitet e ardhshme. A keni dëgjuar për këtë? Është një asteroid që po shkon në drejtimin e përplasjes me Tokën”. Ky informacion u mbajt tepër sekret nga shteti, këmbëngul ai, por më pas u zbulua nga një punonjës i agjencisë amerikane, i quajtur Jonathan Brown.
Në fakt, videoja është gjë e rreme, thonë ekspertët. Derisa imazhet janë të Roganit, audio duket të jetë klon i rremë i zërit të tij i krijuar nga inteligjenca artificiale [AI], raporton organizata jofitimprurëse Media Matters. Po asteroidi i vëzhguar nga qeveria? Një teori e pabazë konspirative. Nuk ka asgjë që bën me dije se Rogani ishte përfshirë me vetëdije në këtë video.
Postimi, i cili përfundimisht u hoq nga TikTok-u, është pjesë e një fenomeni në zhvillim, ku krijuesit në internet po mbushin platformat sociale me konspiracion, shpeshherë me ndihmën e mjeteve të reja të AI-së. Duke mbledhur miliona shikime, komplotet variojnë nga ato paksa fantastike e deri tek ato krejtësisht mashtruese – për shembull se CIA ka fshehur “zjarrin e ferrit” mitik në një shpellë në Grand Kanjon – dhe priren të ndjekin një model të veçantë.
“Fillon me një deklaratë të pabalancuar për të tërhequr vëmendjen – karrem viral”, thotë Abbie Richards, producent i videove në Media Matters i cili ka gjurmuar materialin konspirativ i cili zakonisht përmirësohet ose krijohet tërësisht nga AI-ja. “Pastaj e keni një histori në sfond me një personazh të rremë që zakonisht është shumë i ashpër dhe më pas e zbulojnë një lloj sekreti”.
Një zëdhënës i TikTok-ut ka thënë se teoritë e konspiracionit “nuk kanë të drejtë për të fituar para” dhe se dezinformatat e dëmshme ishin të ndaluara në aplikacion.
Autorët e përmbajtjes së tillë zakonisht nuk e përhapin atë meqë përpiqen të manipulojnë opinionin. Kjo është një përpjekje fitimprurëse për angazhimin e bazës, në mënyrë që të paguhen nga platformat – shumë prej të cilave i shpërblejnë financiarisht krijuesit për numrin e lartë të shikimeve.
“Përmbajtja e teorisë së konspiracionit të krijuar nga AI-ja, për të fituar para, është shpjegimi i përsosur i momentit ku ne tash jemi në ekosistemin e internetit”, thotë Dr. Jen Golbeck, profesoreshë në Universitetin e Merilendit e cila fokusohet në fushën e mediave sociale dhe komplotet.
Përtej rrjedhës së parave, zhanri ndjek tërheqjen për teoritë e tilla mu në kohën e rritjes së mosbesimit ndaj qeverive, dhe të dukurisë së rrëfimeve konspirative të viteve të fundit, thotë ajo. “Kjo kombinohet me këtë shtytje algoritmike, të përmbajtjes më tërheqëse [nga platformat e mediave sociale], e cila na shtyn të shohim gjërat që janë më ekstreme, më të reja”, thotë ajo.
Teoritë e konspiracionit nuk janë rastet e vetme të përdorimit të mashtrimeve që burojnë nga bumi i AI-së. Një raport i botuar këtë javë nga studiuesit e Universitetit të Stanfordit dhe Xhorxhtaunit, zbuloi më shumë se njëqind faqe të rreme të krijuara nga AI-ja e të cilat vërshojnë faqet e Facebook-ut – me art ndonjëherë hiper-realist e ndonjëherë të çuditshëm (shembull i këtij të fundit është “Karkaleci Jezus” – Jezusi trupi i të cilit është bërë nga karkalecat e detit). Të shpërblyer nga algoritmet e aplikacionit Meta dhe duke grumbulluar miliona shikime, faqet më pas përpiqen t’i drejtojnë shikuesit nga platforma drejt faqeve ku mund të shesin, për shembull, produkte të dyshimta.
Josh A. Goldstein, studiues në Qendrën për Sigurinë dhe Teknologjinë në Xhorxhtaun dhe bashkautor i raportit, paralajmëron se suksesi i përmbajtjeve të tilla mund të nënkuptojë se akterët e këqij do të “përdorin imazhe nga AI-ja për të përfituar” ndjekës, përpara se të drejtohen drejt përhapjes së, për shembull, dezinformatave që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Sido që të jetë, është e qartë se platformat e mediave sociale duhet të krijojnë dhe zbatojnë rregulla të përcaktuara më qartë rreth përdorimit të AI-së në aplikacionet e tyre. Hapi i parë është prezantimi i etiketimit të përmbajtjes së krijuar nga AI-ja. Platformat gjithashtu duhet të rregullojnë programet e tyre të pagesës së krijuesve, për t’u siguruar që ndikuesit [influencer] të mos nxiten të luajnë me sistemin. TikTok-u, i cili përballet me ndalim të mundshëm në ShBA, tha se gjatë kësaj jave e kishte prezantuar programin e ri të shpërblimeve për krijuesit të fokusuar në përmbajtje origjinale dhe me cilësi të lartë.
“Ky është nj; problem i vjetër me dekada, se modeli i biznesit të mediave sociale është ekonomia e vëmendjes”, thotë Hany Farid, profesor në forenzikën dixhitale të Universitetit të Kalifornisë,. Shtojani kësaj AI-në dhe interneti bëhet shumë më “distopian”, vazhdon ai. Vepro tani, ose “ne jemi majmunët … ulur atje duke bërtitur, teksa zotëruesit tanë të inteligjencës artificiale” na shikojnë. /Telegrafi/