Përpjekjet e vendeve evropiane për të forcuar ushtritë e tyre përballë kërcënimit në rritje nga Rusia, janë përballur me mosgatishmërinë e të rinjve evropianë për t’iu bashkuar forcave të armatosura.
Pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë vendet evropiane të rrisin shpenzimet ushtarake dhe të forcojnë mbrojtjen e tyre, teksa përpiqen të ndryshojnë “tkurrjen” e ushtrive që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit.
Por, përpjekjet e tyre po përballen me një sfidë të madhe, atë të mungesës së rekrutëve të gatshëm për t’iu bashkuar forcave ushtarake, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Pavarësisht investimeve, Gjermania ka njoftuar se numri i trupave ushtarake të saj ka rënë. Ministria e Mbrojtjes së vendit tha se ushtria e saj, Bundeswehr, është zvogëluar për 1,500 trupa në vitin 2013, me një total prej 181,500 burra dhe gra. Plani i ushtrisë gjermane është të rrisë ushtrinë në 203 mijë trupa deri në vitin 2031.
Gjithashtu, edhe Britania e Madhe pranoi se kohët e fundit ka vështirësi në rekrutimin e të rinjëve. Madje, 5,800 trupa i janë larguar forcave britanike.
“Problemi është ai që ndajnë të gjitha vendet evropiane – përfshirë Francën, Italinë, Spanjën”, tha Vincenzo Bove, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Warwick në Britaninë e Madhe.
Sipas Bove, është e paqartë se kur rekrutimi u bë problem për ushtritë evropiane. Një gjë është e sigurt, pushtimi rus i Ukrainës ka shtuar presionin mbi vendet evropiane për ta zgjidhur këtë çështje. Por, pse Evropa po lufton për të rekrutuar ushtarë?
Vlerat e të rinjve kanë ndryshuar
Sipas Bove, dallimi ideologjik midis shoqërisë në përgjithësi dhe forcave ushtarake shumë është zgjeruar.
“Nëse merrni një mostër të rastësishme të të rinjve evropianë, ata janë ideologjikisht shumë larg nga një grup ushtarësh i të njëjtit vend për sa i përket mënyrës se si e shohin shoqërinë, aspiratat e tyre, çfarë duan të bëjnë”, tha Bove.
Hulumtimet e realizuara së fundmi tregojnë se të rinjtë civilë janë në masë të madhe kundër luftërave, kundër rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe kundër operacioneve ushtarake jashtë vendit. Gjithashtu, ata janë më individualistë, dhe më pak patriotë se ata që shërbejnë në forcat ushtarake.
Ndërsa nuk ka një shpjegim të qartë se pse ky shqetësim po zgjerohet, Bove tha se kjo mund të lidhet me përfundimin e rekrutimit dhe faktin që të rinjtë nuk janë më të ekspozuar ndaj ushtrisë.
Me profesorin ra dakord edhe studiuesja e Institutit të Ajrit dhe Hapësirës Freeman të Londrës, Dr. Sophy Antrobus.
“Në shumicën e pjesëve të vendit nuk mund të shihni njerëz me uniformë, nuk ka ndërgjegjësim për ushtrinë si një karrierë e disponueshme”, tha Antrobus.
Paga ‘jo e mirë’
Një arsye tjetër se pse Evropa po has në probleme për rekrutimin e ushtarëve të rinj, thuhet të jetë edhe aspekti financiar.
“Për shkak të sfidave në sektorin ushtarak, cilësinë e jetës, zhvendosjet, detyrat ndërkombëtare, pasigurinë dhe mundësinë e vdekjes, ju duhet të paguani rroga shumë të larta për të bindur njerëzit të aplikojnë dhe të bashkohen me forcat e armatosura”, tha Bove.
Kjo u konfirmua përsëri nga Antrobus, e cila ka shërbyer si ushtarake e Forcave Ajrore Mbretërore për 20 vite, duke përfshirë edhe misione në Irak e Afganistan. Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur shumë investime në ushtri, andaj gjendja e forcave të armatosura “është bukur keq”.
“Kohët e aplikimit për pranim në forcat e armatosura janë gjithashtu mjaft të gjata, dhe brezat e rinj, veçanërisht tani, presin që gjërat të ndodhin shpejt”, tha Antrobus.
Ndryshimet demografike
Forcat e armatosura po përpiqen të gjejnë aplikantë të mundshëm pasi popullsia e kontinentit po plaket dhe po zvogëlohet.
Bove argumenton se madhësia e ushtrive është zvogëluar për t’iu përshtatur këtij ndryshimi të popullatës. Ky argument thuhet se qëndron, pasi ushtritë britanike, italiane dhe franceze tani janë “sa gjysma e madhësisë që ishin 10 ose 20 vite më parë”.
Një grup më i vogël aplikantësh, mund të nënkuptojë se tani cilësia e rekrutëve të pranuar mund të mos jetë në përputhje me të njëjtat standarde strikte që forcat e armatosura kanë vendosur nëpër dekada.
Sipas Antrobus, ekziston edhe problemi “i shëndetit”. Në SHBA, ka shumë njerëz të moshës midis 17 dhe 24 vjeç, të cilët janë të papërshtatshëm për rekrutim për shkak të obezitetit. Nëse ky trend vazhdon, ushtritë do të përballen me probleme të mëdha rekrutimi deri në vitin 2035 dhe 2040.
Çfarë e ardhme i pret ushtritë e vendeve evropiane?
“Ushtritë evropiane janë në një modalitet paniku, ndërsa përpiqen të gjejnë rekrutë të rinj përballë kërcënimit në rritje nga Moska”, tha Bove, duke theksuar se “përgjigja” mund të jetë emigrimi.
Kjo për faktin se disa vende si Spanja, Franca dhe Portugalia tashmë po e shqyrtojnë mundësinë që emigrantët t’i bashkohen ushtrisë së vendit dhe të marrin nënshtetësinë pas disa vitesh shërbimi ushtarak.
“Kjo ndoshta është mënyra më e mirë sepse nuk mund t’i detyrosh njerëzit të luftojnë për ty e t’i bashkohen forcave të armatosura”, tha Bove.
Por, sipas Antrobus, gjithçka fillon me politikën, vullnetin dhe interesin politik.
Nëse shërbimet bëhen më tërheqëse, paga më e mirë dhe standardet e jetës përmirësohen, atëherë edhe rekrutimi do të jetë më i lehtë. /Telegrafi/