Është e habitshme se si regjimi komunist asnjëherë nuk i kuptoi kosovarët që kaluan kufirin për të gjetur lirinë në “Shqipninë nanë”, por herët a vonë i shpalli njërin pas tjetrit armiq, kinse të dërguar të regjimit titist etj. Ata që nuk i dënoi, i mbajti nën vëzhgim deri në fund. Nuk u kursye për asnjë, edhe kur harxhoi lekë për shkollimin e tyre në universitete. Tekefundit, nuk ka pyetje pa përgjigje.
Ata erdhën si atdhetarë, duke shpresuar se do t’i shpëtonin gjenocidit serb të Tito-Rankoviqit të viteve ’50 të shekullit të kaluar, përballja me të cilin kishte krijuar një simbol qëndrestari të paepur si shkrimtari Adem Demaçi e deri te filozofi Ukshin Hoti në kohë të vona. Nuk është se ikën nga Kosova, por nga Jugosllavia që nuk ishte shteti i tyre. Kërkuan parajsën amësore këtu, por gjetën ferrin, baltën dhe zgjyrën e diktaturës. Atdhetarizmi i tyre i kulluar pak nga pak hasi në internacionalizmin tonë proletar; ata duhej ta donin kombin në një tjetër “mënyrë”, duke dashur Partinë e Punës dhe Komandantin, fitoret e socializmit etj. Por, ata komunizmin e kishin pasur atje, këtu kishin ardhur duke rrezikuar jetën në kufi për shqiptarinë dhe jo për partinë.
Këtu nis dhe konflikti që vjen e acarohet përherë e më shumë ndërmjet shtetit shqiptar dhe kosovarëve të emigruar. Një temë për të cilën nuk është folur asnjëherë dhe pse kanë kaluar tridhjetë vite që kanë rënë burgjet politike. Secili nga ata meriton nderim më vete, aq sa ka vlerë edhe portreti i tyre i përbashkët prej qëndrestarësh të racës. Në Tiranë është vendosur një memorial turk me emrat e viktimave që kundërshtuan përpjekjen për grusht shteti në Turqi pak vite më parë, ndërkohë që mungon një memorial kushtuar vëllezërve tanë kosovarë që u martirizuan. Jepen përditë tituj nga Presidenti i Republikës, por nuk dimë të jetë nderuar ndonjëri prej tyre. Kush më parë se martirët e meriton titullin “Nderi i Kombit”? Ata janë harruar. Kujtohen vetëm nga familjarët, miqtë e shokët, por jo nga institucionet e shtetit. Një pjesë e mirë e tyre vinin nga letërsia, si shkrimtarët: Agim Gjakova, Kapllan Resuli, Adem Istrefi; mësuesit e mirënjohur: Myrteza Bajraktari, Shefqet Kaçaniku, Ymer Llugaliu, Selim Kelmendi, Gani Ratkoceri, Idriz Zeqiraj, Hysen Bukoshi, Ibish Kelmendi; piktori Sadri Ahmeti; diplomati Esat Myftari; mjekët Jetullah Gashi e Arben Çeta (vëllai i Anton Çetës); inxhinieri kimist Namik Luci; agronomi Kol Nikçi etj., procese gjyqësore që u zhvilluan në Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Lezhë, Mirditë etj.
Është një listë e gjatë shqiptarësh nga Kosova të dënuar këtu, shumë më e gjatë seç mund të mendohet, edhe pse askush nuk ka marrë mundimin ta përpilojë atë të plotë. Disa venin nga burgu në burg, kishin lënë burgjet e Titos, me shpresën se këndej ishte “Toka e Premtuar”, por këtu i priti sërish burgu dhe internimi, edhe pse jo pak prej tyre qenë lejuar të vazhdonin arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, mbase me synimin që të përqafonin vijën e Partisë, çka nuk ndodhi. Studimet e larta do t’i dituronin më shumë, por nuk do t’i bënin komunistë. Agim Gjakova, më i njohuri ndër ta, siç lexojmë në shënimet rreth biografisë së tij, ishte arratisur në ‘60-ën se kishte qenë një zë i fortë i të drejtave të shqiptarëve të persekutuar atje dhe kjo ishte një kartë e fortë për të qenë këtu i mirëpritur, mirëpo nuk do të vononte edhe në Tiranë të ngjallte pakënaqësi te regjimi me veprën e tij letrare jokonformiste, çka tregon se shtetet totalitare reagojnë njësoj ndaj intelektualëve të pavarur.
Bash në kohën kur nacionalistët e rinj idealistë dyndeshin nga Kosova për këndej, në Tiranë po venitej ylli i një bashkëvëllau të tyre nga Mitrovica, Ramadan Çitakut, pjesëmarrës në themelimin e PKSh-së (1941), në ngjarjet dhe formacionet kryesore politike e ushtarake të Luftës, mbas çlirimit gjashtë muaj ministër i Financave në vitin 1946 dhe ambasador i Shqipërisë në Beograd deri në vitin 1948, për të vuajtur më pas harresën e gjatë për shkak të përplasjes politike me Enver Hoxhën, që tash e quante “njeri të jugosllavëve”.
Si miqësia politike shqiptaro-jugosllave, si armiqësia më vonë me Jugosllavinë, sollën persekutim e gjer viktima në radhët e inteligjencës. Kështu, në vitin 1945 u arrestua profesori prizrenas Kol Margjini, diplomuar në Vjenë, mbas tridhjetë e ca vitesh shërbesë në shkollat e mesme të vendit dhe iu dorëzua autoriteteve serbe, ku ndërroi jetë në burg mbas pesë vitesh. Nuk i shpëtoi burgut “dypalësh” as gjuhëtari Selman Riza, sot me shtatoren në Gjakovë. Studiuesi Aleksander Meksi shkruan se për shkak të veprimtarisë politike thellësisht atdhetare, ai burgoset në vitin 1945 në Tiranë, vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, ku kishte ardhur për t’i shpëtuar gjenocidit serb. Shpëtoi atë rast pa u ekstraduar në Jugosllavi, po kjo nuk u shmang në vitin 1948, ku pasi qëndroi tre muaj në Burgun e Tiranës, komunistët shqiptarë e ekstraduan “si kosovar antijugosllav” për t’u gjykuar prej jugosllavëve. Riza qëndroi tri vite e gjysmë në burgjet jugosllave dhe vetëm në dhjetor të vitit 1953 ai mundi të rikthehet në Shqipëri, ku bashkohet me familjen e tij në Tiranë.
Ndër të parët që ka kaluar kufirin për në Shqipëri, në tetor të vitit 1951, ka qenë “Mësuesi i Popullit” Gani Ratkoceri (Demiri), lindur në një fshat afër Prishtinës, dënuar për agjitacion e propagandë më 1978 me dhjetë vite burg, duke fituar pafajësinë pasi kishte vuajtur gjysmën e dënimit. Kujtimet e tij nga kalvari politik në Shqipëri, ai i ka bërë publike në librat që ka shkruar dhe në intervista, ku flet për marrëveshje mes UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit për dënimin e kosovarëve etj.
Ymer Llugaliu më 1958 kishte lënë Kosovën dhe kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri, ku pas kryerjes së studimeve të larta në Fakultetin HistoriFilologji në Tiranë, ishte emëruar mësues letërsie në gjimnazin e Rrëshenit e më pas transferuar në Kurbnesh, ku arrestohet për agjitacion e propagandë më 1976. Shkrimtari Agim Gjakova e përcolli me këto fjalë ndarjen e tij nga jeta, me 13 qershor në Podujevë: “Ymer Llugaliu ka qenë një ndër figurat më të pastra dhe më të dinjitetshme në Shqipëri, në liri apo në burg, që e mbajti lart qenien e tij kosovar”.
Shefqet Kaçaniku nga Prizreni, gjithashtu mësues letërsie, erdhi në Shqipëri për t’i shpëtuar shtypjes së regjimit jugosllav dhe përfundoi në burgjet politike të Shqipërisë. Në tetorin e vitit 1975, Gjykata e Lezhës e dënon për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” me dhjetë vite burg. Ishte akuza më e lehtë për t’u “vërtetuar”, mjaftonin tre dëshmitarë në rrenë dhe fati yt nuk ishte më në duart tua. Selim Kelmendi, një tjetër emër i spikatur, mësues i letërsisë në gjimnazin e Fushë-Krujës, më 1983 dënohet nga Gjykata e Lartë me akuzën se ishte përfshirë në një grup armiqësor që kinse do t’i bënte atentat Hoxhës kur ai të vinte për të përuruar Muzeun Historik të Krujës. Pak vite pas dënimit, ai do të shuhej në Burgun e Burrelit, në rrethana të paqarta, pa iu dhënë ndihma spitalore. Ata qenë atdhetarë të kulluar, profesionistë të zot, të papërkulur para burokracisë dhe, si të tillë, bënin diferencën me vetë kohën e “përkulur” para partisë shtet, që u mori lirinë për të cilën kishte qenë arratisur nga vendlindja. Pati edhe nga ata që nuk hynë në burg, por mbetën gjithë jetën në hije e të vëzhguar, si Haki Osdautaj, mësues historie dhe gjeografie në gjimnazin e Bajram Currit, shkruan studiuesi Ismet Balaj.
Mbasi kemi shkuar në shkollat e Kosovës pas vitit 2000 dhe jemi takuar me mësues e nxënës atje, i kemi kuptuar edhe më mirë martirët kosovarë këtu, pse ata ishin jo vetëm mësimdhënës të pasionuar, por kryekreje misionarë të gjuhës shqipe. Atje mësuesit kishin vuajtur në burgjet e Millosheviçit për “mbrothësinë” (mbarësinë) e gjuhës shqipe. Nga Kosova nuk arratiseshin vetëm intelektualë, po dhe plot njerëz të thjeshtë, që dërgoheshin në kampin e emigrantëve në Seman (Fier), ku u nënshtroheshin “formave të edukimit” bolshevik. Mund të thuhet se kishin rënë nga shiu në breshër. Por nuk ishin vetëm kosovarët që vinin këndej, kishte edhe plot që arratiseshin në Kosovë, kryesisht për të shkuar drejt Perëndimit. Poeti Martin Camaj në vitin 1948, mësuesi shkodran Xhevdet Hoxha, që la klasën ku jepte mësim në Rrëshen dhe u arratis në Jugosllavi kah mesi i viteve ’60 etj. Sipas një raporti të CIA-s, rreth 10 mijë shqiptarë qenë arratisur në Jugosllavi pas Luftës II Botërore, ngaqë nuk e donin qeverisjen e Enver Hoxhës.
Kosovarët me diploma universitare i përpiu një nga një Burreli, Spaçi, Qafë-Bari e të tjera kampe të burgosurish politikë. Shumë prej tyre mbeten pa familje. Propaganda partipunase ishte marramendëse, në njërën anë bënte filma për mësuesit si “Komisarë të dritës”, në anën tjetër çonte në burgje ajkën e inteligjencës së vendit, priftërinj, mësues, shkrimtarë, përkthyes, regjisorë, piktorë, gazetarë, inxhinierë etj. Ekranet mbusheshin me imazhet heroike të të parëve, kurse qelitë me vetë padashësit e kundërshtarët e regjimit, larg syve të publikut, mediave vendase e të huaja.
Gjyqet e armiqve të popullit që kishin ardhur si vëllezër ishin ndër më “shembullorët”, siç thuhej në zhargonin e kohës, që të vinin mend të tjerët. Është për t’u theksuar se të gjithë ata ishin njerëz të ditur, çka ngjallte zilinë e mediokërve rreth tyre, që bënin të vetmin “zanat” që dinin: t’i spiunonin. Ata që kanë marrë pjesë në gjyqet e tyre, ndonëse shpesh me dyer të mbyllura, tregojnë për forcën argumentuese, kulturën e të shprehurit të të akuzuarve, duke sfiduar haptazi ata që kishin përballë; aty në të vërtetë vetëm sa luhej farsa gjyqësore, pasi vendimi ishte marrë më parë në zyrat e KQ të Partisë.
Mund të pyetet pse kaq shumë gjyqe e dënime të intelektualëve kosovarë e të tjerë kaq “vonë”? Për regjimin nuk ishin të rrezikshëm vetëm liberalët në letërsi e arte, puçistët (e ashtuquajtur) në ushtri dhe kinse sabotatorët në ekonomi, por dhe mësuesit e poetët, qeniet më të brishta të kësaj bote. Për diktaturën, ata ishin po aq komplotistë sa gjeneralët madhorë. Ndaj, në vitin 1977 dënohen me pushkatim Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, që mësonin fëmijët e Librazhdit dhe shkruanin poezi si “Saharaja” etj. Më 1979 dënohen me vdekje dy gazetarë të Radio Tiranës, Fadil Kokomani e Vangjel Lozha, bashkë me Xhelal Koprenckën, për t’u mbyllur ploja me Havzi Nelën më 1989. Kurse disidentët shqiptarë në Jugosllavi dërgoheshin në “Spaçin” e tyre me emrin Goli Otok, në brigjet e thata kroate, mallkuar dhe në poezinë e poetëve kosovarë. Sistemi socialist ndihej në krizë në krejt Lindjen, prandaj nuk reshtte së vrari elitat, mjaft që pushteti të mos binte. E megjithatë, asnjë fjalë, përkujtimore, dokumentar, monografi, përpos disa shkrimeve, intervistave apo librave të atyre që mbijetuan. Ndoshta një minutë heshtje në ndonjërën nga mbledhjet e dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të ishte shenja e parë e një nderimi ndërqeveritar për emigrantët e salvuar në vendin e vet.
Në rastin arsimtarëve nga Kosova që vepruan në Shqipëri në kohën e krizës dhe shthurjes së kampit socialist, roli i tyre do të kuptohej më mirë, po të kihej parasysh se arsimtaria kishte qenë një traditë mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, qysh në fillimet e shekullit XX, shpesh duke mos i përfillur kufijtë. Në Krumë të Hasit, në vitin 1928 u çel internati “Kosova”, ku mësonin fëmijë nga Gjakova, Prizreni, Kukësi etj. Në Tiranë, një shkollë mban emrin “Ahmet Gashi”, në nderim të profesorit të shquar, gjeografit të mirënjohur Ahmet Gashi, që kishte dhënë mësim në Prishtinë, “Normalen” e Elbasanit (drejtor i saj) dhe Tiranë – autori i së parës hartë të Shqipërisë etnike. Është e mirënjohur nisma e Ernest Koliqit për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, duke dërguar në Tokat e Lirueme në vitin 1941 mbi 200 arsimtarë. Ishte kohë pushtimi dhe do të kryqëzoheshin fate komunistësh dhe nacionalistësh shqiptarë. Fadil Hoxha, lindur në Gjakovë e arsimuar në Elbasan, së bashku me arsimtarë të tjerë kosovarë, kthehet në Kosovë (mësues në Hogosht të Gjilanit), nga ku përfshihet në organizimin e Luftës Antifashiste dhe mbas saj zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kurse mësuesi nacionalist mirditas, Zef Vorf Nekaj, që kishte shërbyer edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, do të bëhej profesor në Amerikë. Në vitet ’70, profesorë të Tiranës, që nga Eqrem Çabej e Aleks Buda, do të jepnin mësim në Universitetin e Prishtinës. Por dhe sa e sa tregues të tjerë kulturorë-arsimorë, që dëshmojnë se shkolla shpesh ia kishte arritur me qenë “bashkë”, edhe kur nuk ishte politika. Mbi të gjitha, se ishte e përbashkët gjuha shqipe, flamuri kombëtar dhe vetë Atdheu.