Site icon Telegrafi

Pse tanku amerikan, Abrams vlerësohet kaq shumë: Një veteran i shumë luftërave dhe një makinë efektive e shkatërrimit

Konfirmimi që erdhi sot nga Shtëpia e Bardhë se SHBA-ja po dërgon 31 tanke M1 Abrams në Ukrainë, i cili është tanku kryesor i ushtrisë amerikane dhe sipas shumicës së ekspertëve ushtarak, tanku më i mirë në botë, shkaktoi entuziazëm të madh tek ukrainasit.

E si të mos ishte kur është një “bishë” e vërtetë, i cili është në përdorim që nga viti 1980 në shumë fushëbeteja dhe i ka rezistuar të gjitha moteve dhe terreneve.

Por pse tanket janë kaq të rëndësishme dhe si sjellin ato në të vërtetë përparësi në fushën e betejës?

Tanket janë armët kryesore ushtarake në fushëbeteja sepse ato ofrojnë sulme të fuqishme në drejtim të armikut.

Sot, është e zakonshme të shohësh njësi ushtarake që përbëhen vetëm nga tanke kryesore luftarake, pasi këto armë janë mjaft të avancuara për të kryer operacione pa njësi të tjera.

M1 Abrams janë tanke legjendare që filluan t’i shërbejnë ushtrisë amerikane në vitet 1980. Ata e kanë dëshmuar besueshmërinë dhe efektivitetin e tyre shumë herë ndërsa shërbyen në Luftën e Gjirit, Afganistanit, Irakut, Revolucionin Egjiptian 2011, etj.

Kompanitë prodhuese janë Lima Army Tank Plant dhe Detroit Arsenal Tank Plant (nga 1982 deri në 1996).

Projektuesi i tyre është Chrysler Defense, e cila tani quhet General Dynamics Land Systems. Në total, u prodhuan më shumë se 10 mijë njësi, ku një prej tyre kushton nëntë milionë dollarë.

M1A2 Abrams janë tanket kryesore të betejës të gjeneratës së tretë dhe një nga më të rëndat në botë.

Aktualisht ekzistojnë tre versione operacionale të linjës Abrams: M1, M1A1 dhe M1A2. Ushtria amerikane planifikoi të zëvendësonte tanket Future Combat Systems XM1202, por projekti u anulua.

Lexo po ashtu Çfarë janë tanket Leopard 2 që po i kërkon Ukraina?

Tani, ushtria planifikon të mirëmbajë Abramsin aktual dhe t’i përmirësojë në çdo aspekt. M1 Abrams ka saktësi edhe gjatë lëvizjes.

Përveç stabilitetit dhe saktësisë së tij, M1 Abrams është i njohur për mbrojtjen superiore të ekuipazhit (përfshirë kimikatet/biologjike/bërthamore), ruajtjen e sigurt të municioneve për të parandaluar shpërthimet, shpejtësinë dhe manovrimin në terrene dhe ventilimin efektiv.

Gjithashtu kërkon mirëmbajtje minimale.

Motori i turbinës M1 është shumë i lehtë. Tanku ka një profil të ulët, duke e bërë atë objektiv të vështirë për tu goditur nga armiku.

Dhëmbëzorët i ka prej gome gjersa kupola mund të rrotullohet 360 gradë brenda nëntë sekondave.

Mund të ngjitet në pengesa të larta rreth një metër dhe të kalojë një hendek rreth tre metra të gjerë.

Detaje teknike:

Pesha: 55 ton
Ekuipazhi: 4 – komandant, gjuajtës, mbushës dhe shofer
Armatimi: Armë 105 mm (M1A2 ka 120 mm), secila predhë peshon rreth 18 kg
Materiali: Është i ndërtuar prej çelikut dhe pllakave të blinduara qeramike.
Viti i prodhimit: 1980.
Shpejtësia: 72 km/h
Gama: Me një rezervuar të karburantit, përshkon 482 kilometra. /Telegrafi/

Exit mobile version