Nga: Cath Pound / BBC
Përktheu: Telegrafi.com
Portretizimet zënë vend të veçantë në historinë e artit. Duke parë se kush u portretizua dhe si, jemi në gjendje të kemi njohuri për historinë sociale, kulturore dhe politike, në mënyrën të cilën asnjë lloj tjetër pikture nuk mund të na e ofrojë. Fakti se na e jep mundësinë për t’u lidhur me individët që ishin dikur, ose që ende janë, me qeniet njerëzore të gjalla si ne, e bën atë gjithashtu një nga më të qasshmet dhe më të popullarizuarat. Pastaj, është i vetmi zhanër me galeri të dedikuara për portretin, ndërsa ka qenë frymëzim për ekspozita të panumërta madhore.
“Portretizimi rri ndaras nga zhanret tjera të artit, meqë shënon kryqëzimin midis portretit, biografisë dhe historisë. Ato janë më shumë se vepra arti; kur njerëzit shikojnë portrete, mendojnë se po e takojnë atë person”, thotë Alison Smith, kryekuratorja në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër.
Origjina e zhanrit mund të gjurmohet në kohët e lashta, kur shërbente për një sërë funksionesh, që nga lartësimi i atyre që ishin në pushtet e deri te kujtimi i të vdekurve. Shekujt I dhe II të erës sonë na japin Fajumin e Egjiptit romak që prodhonte portrete çuditërisht natyraliste që shfaqeshin në rastet e mumjeve. Mendohet se janë varur në shtëpitë e njerëzve, gjatë jetës së tyre, dhe se pas vdekjes janë vendosur mbi kokën e mumjes për ta ndihmuar udhëtimin për në jetën e përtejme. Në Romën e lashtë, skulpturat e portretit përdoreshin për të përkujtuar të vdekurit ose për të shënuar arritjet e të gjallëve. Në të dy rastet, vëmendjen e tërhiqte prejardhja e personit, meqë kjo kishte rëndësi të madhe në shoqërinë romake. Portretet perandorake ishin mjet i vlefshëm për propagandën. Të vendosura nëpër tempujt e kultit perandorak, ato u krijuan për ta nxitur frikën dhe nënshtrimin.
Edhe pse pak shembuj të portretizimeve kanë mbijetuar nga Mesjeta, ato që ruhen kanë shërbyer për qëllime të ngjashme me ato të kohës klasike. Mozaikët mahnitës me përmasa reale të perandorit Justinian dhe të perandoreshës Teodora në kishën “San Vitale” në Ravenë – të cilat datojnë nga shekulli i VI – janë demonstrim spektakolar i fuqisë.
Portretet tjera të atyre të rangut të mesëm të shoqërisë, nuk u shfaqën deri në shekullin XV – me veprën “Martesa e Arnolfinëve” të Jan van Eyckut (viti 1434), që ishte një nga më të njohurat. Një nga portretet e para të dyfishta në historinë e artit, shprehjet e gjalla të fytyrave të çiftit, të kombinuara me simbolikën misterioze të fshehur brenda pikturës, e bëjnë të jetë shumë të popullarizuar për vizitorët e Galerisë Kombëtare të Londrës.
Gjatë Renesancës, portretizimi merr veten. Shpesh është menduar se kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së ndjenjës së individualitetit, nxitur nga rritja e interesit për humanizmin, por Matthias Ubl, kurator i ekspozitës së fundit “Më kujto” në “Rijksmuseum” të Amsterdamit, është kundër këtij këndvështrimi tepër të thjeshtëzuar. “Ishin shumë faktorë që e ndihmuan portretizimin të lulëzonte në atë kohë”, ka thënë Ubl. “Ishte një periudhë inovacioni dhe e nxitjes së gjërave. Humanizmi ishte shumë i rëndësishëm, kështu që edhe vetja ndikoi në një farë mënyre, por kjo nuk është e tëra. Rritja e qyteteve u ndoq me ngritjen e një elite tregtare që donte të pasqyronte fisnikërinë duke i pikturuar portretet e tyre”.
Dhe, teksa këta biznesmenë të porsapasuruar ishin të prirë që ta shfaqnin suksesin e tyre, ishte edhe pritshmëria se ata duhej respektuar për hir të asaj që përfaqësonin. “Ende e keni Kishën, i keni gjithashtu rregulloret esnafëve dhe ata duhej të përmbaheshin ndaj asaj që shoqëria priste prej tyre, qoftë kjo të qënit grua e virtytshme apo tregtar i mirë”, thotë Ubl.
Këta tregtarë të mirë mund të shihen në “Portretin e Xhorxh Gises” të Hans Holbeinit dhe “Portretin e Jan Jacob Shnoekut” të Jan Gossartit. Ashtu si shumica e tregtarëve të epokës, ka të ngjarë të kenë tregtuar me një gamë të larmishme mallrash. Megjithatë, çdo aludim për këtë mall nuk bie në sy, sepse mungon, mbase se gjithçka ishte e lidhur ngushtë me punët e krahut. Në vend të kësaj zgjodhën të shfaqeshin të veshur bujarisht e të rrethuar nga letrat, nga dokumentet dhe nga materialet e shkrimit. Ishte statusi dhe pasuria që ata donin ta theksonin.
Ndonëse statusi dhe pasuria e grave ishin po aq të dukshme përmes veshjeve të bukura dhe stolive që mbanin në portretet e tyre, ishte bukuria e tyre dhe virtyti i pritshmërive patriarkale që duhej të theksonin – e para shpesh duke u menduar si manifestim fizik i së dytës. Edhe dikush aq e fuqishme sa Mbretëresha Elizabeth I e dinte se autoriteti i saj qëndronte jo pak në imazhin e saj si “Mbretëresha e Virgjër” e martuar me Anglinë. Në “Portretin e Armadës” nga një artist anonim (aktualisht e ekspozuar në Shtëpinë e Mbretëreshës në Londër), e cila u pikturua për të shënuar humbjen e marinës pushtuese spanjolle, dora e saj rri sigurt mbi një glob. Trupi i saj është i mbuluar me perla, si emblemë e virgjërisë së theksuar tashmë nga deti. Përjashtime të dukshme nga ai rregull ishin autoportretet nga artistet femra, si “Autoportreti i Catharina van Hemessenit” nga viti 1548, në të cilin e portretizon veten duke punuar në zanatin e saj. “Portreti i saj është më i hershmi që njohim, duke na shfaq një artiste që pikturon në një shtafellaj. Është interesante se ishte artiste grua në kohën kur të tillat ishin të rralla”, vëren Ubl.
Rritja e rëndësisë së portretizimit ndodhi në shekullin XVII, kur Akademia Mbretërore Franceze e krijoi një hierarki zhanresh dhe e vendosi atë si të dytën pas pikturës historike. Vlerësimi ishte se kjo do ta dokumentonte të madhërishmen dhe të mirën, kështu që do të shërbente si shoqëruese për më të lartën e të gjitha zhanreve. Ky rol i porsacaktuar për portretizimin e shtyu para formimin e galerive më të hershme të portreteve, si Galeria e Personazheve të Ilustruara nga Charles Willson Peale që u hap në Filadelfia në vitet 1770 e që shfaqte shumë figura që kishin nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Galeria Kombëtare e Portreteve të Mbretërisë së Bashkuar u hap në 1856, me punën e parë për të futur aty një portret të William Shakespeareit.
Ndonëse këto galeri grumbullonin vetëm portretet e atyre që i konsideronin të shquar, meqë ishte e pashmangshme të shmangnin paragjykimet klasore, gjinore dhe racore të kohës, jashtë mureve të tyre ky zhanër bëhej gjithnjë e më i larmishëm. Me përparimet e shekullit XIX, portretizimet u shoqëruan me të madhe nga ngritja e borgjezisë. Sqima e perceptuar për ta tallej nga shumë shkrimtarë e kritikë, por rritja e kësaj forme portreti ishte tregues i ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike që përfshinin Evropën Perëndimore, kohë kjo kur klasat e mesme fitonin më shumë pushtet dhe ndikim, ndërsa monarkët u detyruan të përkuleshin ndaj autoritetit të parlamenteve. Ardhja e fotografisë ishte faktor i rëndësishëm në demokratizimin e asaj se kush mund të portretizohej, por gjithashtu i ndryshonte pikëpamjet për rolet e individëve në shoqëri. Vetë artistët luajtën rol të madh në përcaktimin e asaj se kush ishte i denjë për t’u prezantuar, duke i sfiduar kështu guximshëm konventat shoqërore.
Një pjesë e rëndësishme e shprehjes artistike ka qenë sigurisht autoportreti. “Autoportreti” ikonik i Van Goghut me veshin me fashë, i pikturuar pasi ai preu një pjesë të veshit pas një debati me Gauguinin, është demonstrim i fuqishëm i vendosmërisë së tij për të vazhduar për të pikturuar, pavarësisht traumave të tij. Ajo është në qendër të vëmendjes të ekspozitës aktuale me autoportretet e tij, në Galerinë “Courtauld”.
Paula Modersohn-Becker, që kohët e fundit është subjekt i një retrospektive të madhe në “Schirn Kunsthalle” të Frankfurtit, gjithashtu e bëri veten objekt të portreteve të saj, së bashku me gratë tjera, fëmijët dhe fshatarësinë vendase. E ndikuar nga portretet e mumjes në Fajum – që i zbuloi në Paris rreth vitit 1905 – portretet e saj kanë intensitet të rrallë psikologjik në përshkrimin e grave të asaj kohë. Megjithëse zgjedhja e modeleve të saj pjesërisht ndërlidhej me atë që i përshtatej, ajo megjithatë i trajton subjektet modeste me dinjitetin më të madh. “Ishin më të varfrit në shoqëri dhe ajo ua dha atyre një atmosferë të përjetësisë, pothuajse shenjtërie”, thotë kuratorja Ingrid Pfeiffer.
Dashuria pothuajse panteiste e Modersohn-Beckerit për natyrën, është e dukshme gjatë gjithë punës së saj, përfshirë këtu pikturën më të famshme, “Autoportreti në përvjetorin e gjashtë të dasmës”, pikturuar në vitin 1906, ku shfaqet zhveshur nga mesi lart. Edhe pse duket se është shtatzënë, nuk ishte. “Barku i saj është simbol i pjellorisë, sa njerëzor ashtu edhe artistike”, thotë Pfeifer. Modersohn-Becker ishte e vetëdijshme për talentin e saj, por të njëjtën kohë e dinte se tema nënkuptonte se vepra nuk mund të ekspozohej kurrë. “Askush nuk e pa atë gjatë jetës së saj, madje as (burri i saj) Otto. E dinte se po pikturonte diçka krejtësisht tabu”, thotë Pfeiffer.
Ashtu si Modersohn-Becker, artistja e shekullit XX, Alice Neel, nuk kishte frikë të sfidonte rregullat. Duke e refuzuar ekspresionizmin abstrakt që dominonte në botën e artit në atë kohë, e pa portretin si mënyrë për të krijuar një histori vizuale të epokës së saj. E tërhequr instinktivisht nga ata që ishin në margjinat e shoqërisë, ishte në gjendje t’i kritikonte rrethanat në të cilat ata gjendeshin, ndërkohë që i portretizonte me dinjitet. “Për të ishte mënyrë për ta ndryshuar shoqërinë”, thotë Lucía Agirre, kuratore e ekspozitës së fundit të portreteve të Neelit në “Guggenheim” të Bilbaos.
“Kishte ndjeshmëri të veçantë për ata që rrinin para saj. Zakonisht zgjidhte njerëz që i pëlqenin shumë, si fëmijët në rrugë apo aktivistët, apo miqtë e saj që ishin edhe shkrimtarë komunistë. Për të, këta njerëz kishin diçka për të thënë”, shpjegon Agirre. Neel kishte prirje të veçantë për betejat emocionale dhe fizike të grave, veçanërisht të grave të privuara si ajo vetë, dhe nuk u shmang nga temat që ishin tabu, përfshirë abuzimin në familjen e fqinjës së saj Peggy. “Në vitin 1949 e bëri këtë portret të bukur të Peggyt ku ju mund t’i shihni shenjat në fytyrën e saj, por në të njëjtën kohë ia jep dinjitetin që ka. Në atë kohë ishte diçka për të cilën thjesht nuk mund të flisnit”, thotë Agirre.
Ndonëse deri vonë në karrierën e saj Neel nuk e kishte respektin e merituar për portretet novatore, natyra e tyre dokumentare dhe demokratike zbulon rëndësinë e vazhdueshme të portretizimit, si dhe funksionet e shumta që portretet mund të kenë. Ato përkujtojnë, manifestojnë dhe na tregojnë se kush ishim – dhe kush jemi tash.
Praktikat e së shkuarës të koleksioneve, të kombinuara me faktin se shumë figura të shquara nuk patën kurrë mundësinë për t’u pikturuar ose fotografuar, do të thotë se galeritë e portreteve nuk mund të presin kurrë se do të jenë plotësisht përfaqësuese të së kaluarës së një kombi, por sa më shumë që i afrohemi të tashmes, aq më gjithëpërfshirës bëhet përfaqësimi. “Kriteret tona për koleksione janë shumë më të gjëra tani. Shkojnë përtej figurave politike, fetare dhe ligjore. Janë më demokratike dhe sot ne çmojmë forma të ndryshme arritjesh”, thotë Smith. Dhe, disa nga paragjykime historike tani mund të adresohen.
Mungesa e përfaqësimit të grave është diçka që Galeria Kombëtare e Portreteve synon ta trajtojë, teksa po rri mbyllur për shkak të rinovimit. Po bëhen kërkime për gratë e caktuara për t’u futur në koleksion dhe do të ketë po ashtu blerje të reja. Me një gamë kaq të gjerë portretesh për t’u vizituar – janë 12 mijë në koleksionin parësor, por koleksioni i referencës është rreth 400 mijë – të kërkosh të zgjedhësh pikat kryesore kjo është detyrë praktikisht e pamundur. Por, nëse duhet ta bëjnë këtë, zgjedhjet e Smithit theksojnë natyrën unike të portretit dhe arsyet e vlerës së qëndrueshme në imagjinatën e publikut. Vizatimet e Hans Holbeinit të mbretërve Henry VII dhe Henry VIII, një studim përgatitor për pikturën tashmë të humbur, si dhe “Portreti Diçli” i mbretëreshës Elizabeth I, na transportojnë në orbitën e disa prej monarkëve më të famshëm të historinë britanike. Ato janë gjithashtu vepra madhështore të artit.
Portreti i William Shakespeareit dhe ai i motrave Brontë nga vëllai i tyre Branwell, të cilat edhe Smithi i përmend, nuk janë aty. Megjithatë, janë nga më të pëlqyerat nga publiku, sepse thjesht ofrojnë një mjet lidhjeje me figurat kaq të dashura letrare. “Autoportreti me modele” i Laura Knightit është zgjedhur pasi është “një vepër vërtet me rëndësi për historinë e grave në art”, ndërsa nga porositë më bashkëkohore Smith e zgjedh portretin e Malalës nga Shirin Neshati që ka një tërheqje të madhe tek vizitorët.
Dhe, sigurisht, përtej të mëdhenjve dhe të mirëve, më të përulurit prej nesh kanë shansin të vlerësohen çdo vit me Çmimin e Portretit, edhe pse është në pritje teksa galeria rri mbyllur. “Është shumë i popullarizuar, sepse njerëzit në atë ekspozitë janë të zakonshëm. Mund të jetë motra juaj, vëllai ose ndonjë model që keni zbuluar në rrugë dhe ju duket interesant”, thotë Smith.
“Është shoqëria e qenieve njerëzore. Teksa në të kaluarën ishte me të vërtetë një shenjim i gradës, statusit apo famës, mendoj se tani portreti ka të bëjë më shumë me ekzistencializmin. Ka të bëjë me psikologjinë, kush janë ata dhe si përshtaten në shoqëri. Ka të bëjë me identitetin”, thotë Smith. Qoftë perandor, aktor, aktivist apo person i zakonshëm në rrugë, kjo është diçka që ne të gjithë e ndajmë dhe që shpjegon se pse portreti nuk do të pushojë kurrë së tërhequri vëmendjen tonë. /Telegrafi/