Telegrafi

Pse po ndodhin grabitjet e armatosura në mes të ditës në Kosovë? – flasin hetuesit e juristët

Një tjetër grabitje e armatosur ka ndodhur sot në Kosovë dhe atë në pikë të ditës. Për juristët kjo gjë është mjaft shqetësuese.

Ish-nënkoloneli i policisë, Refki Morina, ka thënë se institucionet duhet të jenë më të rrepta në sanksione dhe për personat që kryejnë vepra penale të mos lihen në liri.

Në RTV Dukagjini, ku u diskutua për hetimet për vrasjet tragjike e grabitjet e armatosura në Kosovë, Morina thotë se ndëshkimet e forta, forcimi i sistemit ligjor juridik gradualisht i minimizon këto vepra penale.

“Institucionet duhet të jenë konsekuente në sanksione, të mos lihen në liri persona të tillë që kanë dy e më tepër vepra penale. Ndëshkimet e forta, forcimi i sistemit ligjor e juridik gradualisht i minimizon këto vepra penale. Nga paslufta e deri më sot kemi ende vrasje që nuk janë zbuluar, që duhet të zbulohen, kemi edhe grabitje që nuk janë zbuluar, edhe vepra të tjera, duhet të punohet në atë drejtim, jo ato të mbesin në sirtar”, tha Morina.

Ai i konsideron shqetësuese grabitjet që po ndodhin, sidomos ato që po kryhen gjatë ditës kur rrugët janë shumë të frekuentuara nga qytetarët.

“Veprat e tilla penale, grabitja p.sh, është pak si shqetësuese, sidomos sot kur ndodhi gjatë ditës rreth orës 10:00. Ditën të ndodhë një grabitje e tillë ku ka frekuencë të qytetarëve. Secili stacion i policisë duhet ta mbulojë territorin e vet dhe vendet më të ndejshme apo pikat e zeza duhet të mbulohen me policë. Besoj se me mbulimin e tërë territorin bën që të minimizohen këto vepra penale”, shtoi ai.

Derisa avokati Florim Shefqeti i quan të ulëta, dënimet për vrasje në Kosovë.

Lexo po ashtu Si ndodhi grabitja në këmbimoren në Prishtinë? Flasin nga kompania

Ai ka thënë se politika ndëshkimore, respektivisht qëllimi i dënimit për ta parandaluar kryesin, por edhe preventiva e përgjithshme, paraqet faktin kryesor i cili do të ndikonte në zvogëlimin e numrit të rasteve kriminale.

“Politika ndëshkimore, praktika e dënimeve të ulëta, për ne paraqesin bazamentin kryesor të veprave të reja apo të përsëritjes së tyre, prandaj politika ndëshkimore, respektivisht qëllimi i dënimit për ta parandaluar kryerësin, por edhe preventiva e përgjithshme… paraqet faktin kryesor, i cili sipas bindjes sonë do të ndikonte në zvogëlimin e numrit të rasteve kriminale”, tha Shefqeti.

Në rastet e vrasjeve në Kosovë, avokati Shefqeti thotë se dënimet duhet të jenë maksimale.

“Te rastet e vrasjeve dënimet duhet të jenë maksimale, normalisht varësisht nga mënyra e kryerjes, motivit e të tjera. Në rastet e vrasjes konsideroj që politika ndëshkimore nuk është e mjaftueshme në shqiptimi i dënimeve”, tha ai.

Ndërsa te grabitjet, avokati Shefqeti thotë se motivi ka të bëjë me përfitimin direkt personal.

“Te parandalimi duhet të merren parasysh edhe një listë e mundshme e personave që mund të dyshohen, sepse të gjitha këto vepra kryhen në grupe. Në disa raste kur kemi të bëjmë me grabitje, ka bashkëpunim edhe me subjekt që mund të jenë brenda një institucioni të caktuar në kuptimin e dhënies së informacioneve”, u shpreh ai.