Debati për bonot “Corona” vazhdon. Një situatë e jashtëzakonshme si pandemia e Coronavirusit mund të justifikonte hapa të jashtëzakonshëm. Por ka pak gjasa për qëndrime revolucionare solidariteti.
Në një letër botuar në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, disa presidentë rajonalë dhe kryetarë bashkish të Italisë i bëjnë thirrje Gjermanisë të tregojë solidaritet me Italinë. Ata i kujtojnë Gjermanisë se me Marrëveshjen e Londrës së vitit 1953, Gjermanisë iu falën borxhet e Luftës së Dytë Botërore, dhe në shtetet nënshkruese të deklaratës ka qenë edhe Italia.
Kjo thirrje nga Italia është e fundit në debatin e hapur në Bashkimin Evropian për mënyrën se si duhen mbështetur shtetet më të varfra të jugut të Evropës për të përballuar pasojat ekonomike e shëndetësore të Coronavirusit.
Është fakt i pamohueshëm që Italia dhe Spanja po përjetojnë tragjedi për sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve me COVID19 brenda një kohe kaq të shkurtër. Dhe për sa u përket pasojave të pritshme në ekonomi, nga ndërprerja masive e jetës publike. Deri tani në Itali ka rreth 111 mijë të infektuar dhe mbi 13 mijë të vdekur. Ndërsa në Spanjë ka mbi 110 mijë të infektuar dhe mbi 10 mijë të vdekur. Që këto shtete kanë nevojë për mbështetje evropiane, këtë nuk e kundërshton askush në Bashkimi Evropian.
Debati ka të bëjë me faktin se a duhet të hyjnë për këtë në borxh të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, apo mbështetja të jepet me forma të tjera. E thënë ndryshe: a duhet të mbështeten këto shtete me Euro-bone, të quajtura në këtë rast Corona-bone, me të cilat për borxhet që do të merrte për shembull Italia do të hynin në borxh të gjitha shtetet e BE-së. Këtë e kërkojnë kryesisht vendet e “Klubit të Mesdheut”, si Italia, Spanja, Franca, gjithsej nëntë shtete të BE-së.
Apo duhet të ndihmohen shtetet në nevojë me kredi shumë të favorshme tepër afatgjata nga ombrella e euros, Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM). Me ESM-në shtetet mbajnë përgjegjësi vetëm për depozitat e tyre, jo për ato të tjerëve. Rrugën përmes ESM-së e mbështesin vendet më të pasura të Veriut të Evropës: Holanda, Gjermania, Austria e Finlanda.
Thirrjet për bone Corona nuk pushojnë
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte nuk arriti t’i bindë të enjten e javës që shkoi për Corona-bonet homologët e tij të BE-së në një videokonferencë gjashtorëshe. Megjithatë thirrjet për Corona-bone nuk kanë pushuar. Në mënyrë të pazakontë Corona-bonet nuk janë tabu në këtë situatë edhe për një pjesë të ekonomistëve në Gjermani e në Holandë.
“Të fortët duhet t’i ndihmojnë të dobëtit”, shkruanin këto ditë ekonomistë të njohur gjermanë.
Ndërsa shefi i Bankës Qendrore të Holandës u shpreh se po pësoi kolaps jugu i BE-së, veriu merr fund.
Kritikat për veriun josolidar me jugun e BE-së u ndez që në momentet e para të shpërthimit të epidemisë. Kjo sepse reagimet e para pas sulmit të virusit, gati në të gjitha shtetet e BE, qenë reagime të mbylljes në vetvete. Disa shtete, midis tyre Gjermania, ndaluan për shembull eksportin e veshjeve mbrojtëse mjekësore. Vështirësia për të parashikuar nevojat nacionale çoi në mbyllje.
Pak pas kësaj, ky qëndrim u korrigjua.
“Ne nuk i lëmë në baltë miqtë tanë italianë”, deklaroi në Berlin kancelarja Angela Merkel.
Eksporti i ndihmave mjekësore rinisi. Në spitalet gjermane ndërkohë mbërrijnë rregullisht shumë pacientë italianë e francezë, që kanë ecuri të rëndë të virusit.
Pse i kundërshton veriu i Evropës Corona-Bonet?
Franca, si njëra nga vendet më të mëdha të BE-së (dhe vetë e prekur rëndë nga COVID19), sipas së përditshmes “Le Monde” ka marrë rol organizues: për të tërhequr sa më shumë mbështetës edhe jo mesdhetarë për Corona-bonet: veç Luksemburgut, përpjekje po bëhen për të tërhequr edhe tri shtetet baltike. Kjo bëhet edhe për të larguar përshtypjen e përsëritur: jugu përballë veriut, që përsëritet çdo herë kur hapet diskutimi i Euro-boneve.
Italia e Spanja kërkojnë që shtete si Gjermania t’i ndihmojnë tani jo ndryshe, por duke hyrë edhe ato në borxh me letra me vlerë me interesa fikse, pra me Corona-bone. Në fund të fundit përballë “rrezikut simetrik” nga virusi për të gjitha vendet, askush nuk mund t’i akuzojë italianët se ndodhen në krizë prej keqmenaxhimit të tyre.
Kjo është e vërtetë, por këtu ndërhyn konstrukti i papërfunduar i shtëpisë evropiane. Gjermania dhe shtete të tjera nuk kanë të drejtë të kontrollojnë mënyrën si do të përdoren paratë e Corona-boneve. Sepse politika financiare e një shteti anëtar të BE është kompetencë nacionale. Dhe përbetimet që vijnë nga jugu i Evropës se paratë e Corona-boneve, një masë e një hershme, do të përdoren vetëm për pasojat e virusit, në Veri respektohen, por mbeten fjalë. Frika është se Italia preferon Corona-bonee pikërisht pasi kur me to për borxhet përgjigjen shumë shtete, Italia nuk do të “kryqëzohej” nga tregjet, po të mos e kthente dot më pjesën e saj.
E madhe duket më tej në veriun e BE-seë droja nga kundërreagimi në opinionin publik vendas: raste të tilla janë të mirëpritura për ekstremet politike të djathta. Më e zëshmja në kundërshtimin për Corona-bonet është Holanda. Por disa kritikë i thonë kryeministrit holandez Mark Rutte se me kundërshtimin e fortë ai bën lojën e gjermanëve.
Njëkohësisht, një situatë e jashtëzakonshme si pandemia botërore e Coronavirusit mund të justifikonte edhe hapa të jashtëzakonshëm. Diskutimi për Corona-bonet në parim nuk është mbyllur, por gjasat për realizim duken të vogla.
Me një sërë masash të tjera, shtetet e Veriut të Evropës po nxitojnë t’u ofrojnë ndihmë Italisë, Spanjës e shteteve të tjera jugore. Komisioni Evropian vuri në dispozicion 100 miliardë euro, që mund të merren kredi nga vende si Italia. Një rrugë tjetër për ta mbështetur Italinë dhe vende si ajo shihet miratimi në një vëllim shumë të madh të buxhetit të ri afatgjatë të BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se buxheti i ardhshëm i BE-së duhet t’i ngjajë planit Marshall të amerikanëve pas Luftës së Dytë Botërore.
Në tryezë është gjithashtu dhe ndihma përmes ESM. Kjo mund të financojë 410 miliardë euro kredi, duke i marrë ato me kushte të favorshme në tregjet botërore. ESM është treguar i gatshëm t’i vërë në dispozicion një kredi çdo vendi të Eurozonës, pa nevojë për aplikim nga shteti. Pra të japë fonde për masa të menjëhershme të lidhura me krizën.
Por kjo nuk preferohet nga italianët. Italianët e shohin si stigmatizues për ta Mekanizmin e Stabilitetit Evropian. Pasi kreditë që merr për t’ua përcjellë shteteve nevojtare, ESM, i shoqëron me kontrolle të thella të ekonomisë, si në rastin e Greqisë. Do të pasojë kërkesa për ristrukturimin e borxhit italian dhe kursime drastike, thonë politikanët italianë. Premtimet nga ESM se kërkesat ndaj italianëve në rastin konkret do të ishin shumë më të buta nuk dëgjohen në Itali.
Ndihmën për Italinë dhe shtetet më të goditura nga Coronavirusi do ta diskutojnë në 7 prill ministrat e financave të BE-së. Ndërkohë pandemia e virusit vazhdon të shuajë në botë jetë njerëzish. /Deutsche Welle/