Tifozët e Newcastle United po pyesin nëse klubi mund të padisë Milanin për Sandro Tonalin, i cili është i akuzuar për baste, por duhen prova bindëse për të provuar nëse kuqezinjtë e dinin se ai ishte duke luajtur baste.
Lojtari bëri transferimin në Ligën Premier gjatë verës për 80 milionë euro, por do të pezullohet për të paktën 12 muaj pasi pranoi se kishte vendosur baste në faqe të paligjshme, duke përfshirë edhe ekipin e tij.
Ka disa arsye pse ai po përballet me një dënim dukshëm më të gjatë se mesfushori i Juventusit , Nicolo Fagioli.
Tonali u vu nën hetim para se të kishte rrëfyer para autoriteteve dhe ndryshe nga Fagioli ai vendosi baste edhe për Milanin.
Megjithatë, duke qenë se bastet ishin për të fituar dhe për të mos humbur, ai nuk mund të akuzohet për trukim të mundshëm ndeshjesh ose për përpjekje për të ndikuar negativisht në rezultat.
Juve deri më tani ka qenë klubi i vetëm që ka bërë një deklaratë publike për përfshirjen e lojtarit të tyre në skandalin e basteve, dhe kjo për shkak se ata u akuzuan hapur nga kolumnisti Fabrizio Corona se e dinin se Fagioli ishte duke luajtur bixhoz.
Athletic foli me Dr Greg Ioannidis, avokat dhe profesor i ligjit të sporteve klinike në Universitetin Sheffield Hallam, i cili këmbënguli se do të duhej të kishte shumë prova që Milani ishte në dijeni të basteve të Tonalit në mënyrë që klubi të paditet ose dënohet.
Lojtarët nën hetim kanë pranuar të gjithë se kanë luajtur baste në faqet dhe aplikacionet duke përdorur telefonat dhe kompjuterët e tyre, kështu që ideja që klubet do të ishin të vetëdijshëm për këtë sjellje në kohën e tyre të lirë është jashtëzakonisht e pamundur. /Telegrafi/