Telegrafi

Pse mendohen këto male?

Ilustrim (Lumi Fan)

Nga: Ndue Dedaj

Pse mendohen malet shqiptare, gjashtëdhjetë vjet pas poemës së njohur të Kadaresë?

Nuk është më ai peizazhi i moçëm i mesjetës, ku një malësor ecën buzë mbrëmjes dhe pushka e gjatë, zgjatim i shtyllës së tij kurrizore, qindra kilometra hije lëshon mbi dhé. Nuk mendohen më as për të zgjatur linjat e tensionit të lartë, ndërtimin e Fierzës e Komanit, hapjen e shkollave dhe minierave të shumta, ndërtimin e Laçit industrial, apo të Kukësit të ri etj. Atëherë, pse mendohen këto male të lartë, që vetëm gjatësia u ka mbetur ajo që ka qenë, se për tjetër janë bërë për të mos u “njohur”?

Mendohen mbase për kurthin që iu ngreh vazhdimisht pas shpine Tirana metropolitane, edhe pse ajo ka mbi krye si kësulë, herë të blertë e herë të bardhë, një mal të vetin, Dajtin. Malet, që nuk i zh’bani legjenda e vet e mbijetesës, mbajnë vesh e bëjnë çudi se si mund të hyjnë ministrat e shtetit e kryebashkiakët njëri pas tjetrit në burg, se kanë shpërdoruar lekët e popullit. “Kësaj i thonë me i varë ujkut mëlqitë në qafë”, shprehen ato në gjuhën e vet malsorçe. Nuk “kuptojnë” shumë gjëra nga e sotmja kaotike e vendit, si për shembull, ç’do me thënë incenerator i përfolur Tirane apo Elbasani, dosja bashkiake 5D me drejtorë të ndjekur penalisht, tenderë abuzivë andej-këndej republikës, si munden me qenë investitorë strategjikë ministrat e deputetët e shumicës, ato dinë se ç’është SPAK-u, por jo dhe SASPAKu! … A thua kështu qenka puna / loja, qeveria me folë përditë fjalë të mëdha për integrimin në Europë e qeveritarët më vjedhë lekët që Bashkimi Europian ka çuar për rrugët, modernizimin e mjekësisë, përpunuesit e plehrave, bujqësinë etj.?!

Nuk mund t’i fotografosh më malet, lumenjtë, pyjet për revistat e ilustruara, nga vrarjet që ka pësuar gjithëkund natyra. Njeriu është treguar mizor në shkatërrimin e saj. Të parët pushtetarët, por jo të vetmit, bashkë me ta dhe sipërmarrësit e ndryshëm grabitqarë. Klipi i një kënge dasme kishte dalë i “shëmtuar” nga peizazhi rrjepur, dëmtuar prej pesëmbëdhjetë vjetësh qëkur është ndërtuar një rruga e re dhe nuk është vënë dorë për ta gjelbëruar terrenin siç kishte qenë. Në Qafë-Munaz nuk ke nga ta fotografosh ujëvarën e mrekullueshme, pasi nuk të lejon impianti i ujësjellësit të Rubikut, ku në vend që të viheshin “vetullat” janë nxjerrë “sytë”. Nuk është më e para krejt lugina e Fanit të Madh, nga Rrësheni në Fushë-Arrëz, pasi e kanë gllabëruar hidrocentralet. Malet nuk kanë gojë e megjithatë ato kanë marrë britmën, jo si në eposin e kreshnikëve, po nga braktisja “moderne” dhe zhvatja. Munella është një kurriz malor madhështor, me shumë fshatra mirditas nëpër pllaja e brinja, që shkon përmes luginave të dy lumenjëve, që mbajnë të njëjtin emër, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, nëntokën e së cilës qeveria “bamirëse” ua ka falur turqve kapitalistë.

Malet janë një rezervat i trashëgimisë kulturore, jo krejtësisht i eksploruar. Më 1916 shtegtoi nëpër Gojan, Gjegjan, Munellë, Fan, Orosh etj. albanologu i njohur gjerman Maximilan Lambertz, duke fotografuar dhe përshkruar njerëzit dhe malet, përndryshe ne nuk do të kishim si ta njihnim këtë malësi tonën me imazhin e asaj kohe.

Më 1919 dy gra amerikane të Kryqit të Kuq në Shkodër do të ngjiteshin në Dukagjin e Munellë për të zbuluar pasuritë natyrore të tyre, siç i shohim në dy fotografi, që patëm rastin t’i publikonim për herë të parë, dhuruar bujarisht nga filatelisti i njohur shkodran Luigj Shabani. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1929, do të përshkonte “Udhën e Madhe” Shkodër-Orosh, ashtu si krejt malësitë veriore, antropologu amerikan Carleton Coon bashkë me të shoqen. Por, dhe sa e sa dijetarë të tjerë europianë e amerikanë. Ka pasur njerëz të pasionuar atëherë, ka fatmirësisht dhe sot që duan ta shpëtojnë thesarin e fshehur të maleve.

Arkeologia e njohur Etleva Nallbani shkruante këto ditë në Facebook rreth misionit arkeologjik të Komanit, që ajo e udhëheq prej 15 vitesh, duke falënderuar njerëzit e jashtëzakonshëm të Qerretit, Ukthit, Komanit, të cilët bënë të mundur mbartjen e materialeve me mushka dhe punuan një javë rresht për instalimin e infrastrukturës së duhur për ekipin e arkeologëve, që sivjet mbërrin në 18-20 francezë, zviceranë, shqiptarë …

Si të mos mendohen malet? Diku ndodh mrekullia. Diku tjetër vërbimi i tyre. Ngaqë nuk ka një strategji për rivitalizimin tërësor të tyre. Dukagjini po rilind së fundi, me rrugën e re nga Prekali, Pulti, Shoshi e Shala deri në Theth, me Lumin e Shalës të kthyer në një atraskion turistik, që reklamohet përditë dhe me të drejtë.

U nisëm një grup miqsh për ta parë rrugën e re, shkuam deri në Prekal, por e kishte përshkruar më së miri studiuesi vendas Prelë Milani atë që po ndodh në pjesën e epërme të saj: “Përshkova unazën në ndërtim e sipër të rrugës që kam ëndërruar ta shoh të asfaltuar … Gjithë sektori nga Ndërlysa deri në Kodër-Shëngjergji është nusëruar e tjetërsuar sa thua je në tjetër mjedis. Po në ata parametra po vijon drejt Pyllit të Shoshit, është shkapërcyer Sheu i Pepajve dhe rruga po shtrinë krahët mbi fshatin Pylaj. Nuk jam nga ata qe dua te reklamoj për hatër as të zotit Kryeministër, as të Kryetarit të Bashkisë, as firmës punuese që nuk po ia di as emrin. Puna e mirë nuk ka shumë nevojë për fjalë të bukura se shihet vete. Zgjërimi është i bollshëm, shtrimi me aluvione alpine xhixhë të lara nga ‘lavatriçja’ natyre, rulimi dhe rruga tepsi. Uroj të vijohet kështu edhe në fazat e tjera! Dita e mirë duket në mëngjes. Skeptikët e rrjeteve sociale i ftoj të marrin një fiat punto dhe të shkojnë nga Thethi në Kodër-Shëngjergji dhe të shohin me sytë e tyre si është sot rruga e Lotajve, ku deri dje nuk kalonte as traktori me goma”. Reportazhi i tij vijon më të tjera detaje për rrugën.

Nuk di si ta shpjegosh, e njëjta malësi, dy realitete të kundërta. Ndërsa Lumi i Shalës po shndërrohet në një “përrallë” alpine për turistët e panumërt, Fani i Madh përditë e më shumë po rrënohet. Ujët e Fanit nuk është i kristaltë si ai i Lumit të Shalës, por i ndotur nga llumi i mineralit të Munellës në Kimëz dhe fabrikës së bakrit në Fushë-Arrës, çka ngjet prej vitesh.

I marrim shpesh udhët e maleve, me dëshirën që “kambana” për to të mos pushojë, pasi nuk i kanë braktisur vetëm kumbonat e kishave. Jemi ndaluar për një kafe te “Tuneli” i Kalivares. Do të kishim dashtë që aty në ballë të urës të shihnim një obelisk të gurtë, ku të shkruhej: “Ky vend është i dëshmuar në një kumbonë kishe që në vitin e largët 1154”. Dhe, jo vetëm për turistët që marrin përpjetë Munellës deri te Maja e Kryqit, ku shkoi e s’u kthye më prej tufanit të borës dukagjinasi i mirënjohur Ndoc Mulaj. Tash që katundet e malësive tona po zbrazën nga banorët, nga Alpet në Trebeshinë, lypet qe disa shenja të vjetra historike t’i theksojmë më shumë, në emër të së ardhmes, që asaj të mos i mungojë gjuha e së shkuarës, “pasaporta” e identitetit shqiptar.

Ndoshta ndonjë ditë ai obelisku i kumbonës së lashtë do të vihet nga bijtë vullnetmirë të këtyre anëve, por tani për tani aty po punohej për ngritjen e një hidrocentrali të madh dhe fjalët tona në këtë rast janë veçse kritike, pasi përpos dëmit ekologjik, mjedisor, ujor, askush nuk mendon për këtë vend e këta njerëz, se si ata të përfitojnë nga pasuritë natyrore që u përkasin me shekuj. Mjafton të themi se ka tridhjetë vjet që trajlat me bakër kalojnë orë e çast mbi Urën e Kalivares e banorët kanë pasur vetëm një “përfitim”, pluhurin e vazhdueshëm mbi rrugë, shtëpi e bashtina, edhe pse rruga laget rregullisht me autobotët e minierës. E, pra, këta njerëz nuk janë “jetimë”, qeverisen nga socialistët në pushtetin qendror e nga demokratët në atë vendor…

Njerëzit e maleve e kanë në maje të gjuhës pakënaqësinë për gjendjen e pashpresë, pavarësisht tesërave që mund të mbajnë në xhep. Çojuni atyre një kamerë dhe një mikrofon përpara dhe dëgjojini se ç’thonë për pushtetarët e çdo rangu, siç folën hapur me ne aty te bar-kafeja në anë të rrugës, ku pihej birrë e ftohtë. Nga ana tjetër, nuk ka punëtorë për kantierët e punës, bizneset, të gjithë duan me u punësue në shtet, edhe pse te privati kanë paga më të mira. Nuk të vjen kush vendas për kamerier, kuzhinier, ata që duan të punojnë vijnë që nga Filipinet e largëta. Mirëpo, këndej, shtojnë jo pa shpoti banorët, shihen vetëm disa gazetarë shtegtarë që filmojnë gatimet në bujtinat e bjeshkëve, sponsorizuar nga resortet e ndryshme, kinse po promovojnë turizmin!? Turizmi malor ka problematika të mprehta ekzistenciale, ende pa filluar dhe nuk janë vetëm byrekët e shijshëm e gjellët tradicionale që duhen servirur para kamerave të televizioneve kryesore të vendit. Problemi është kush do të prodhojë? Si do të mbështeten prodhuesit me grante? Kush do të shërbejë nesër në agroturizëm?

Ata rrinë në heshtje. Shoqëria, e përfshirë nga ngjarjet e mëdha, shpesh kalon pranë tyre pa i vënë re. Sikur ka një “marrëveshje” për të mos folur e shkruar për të mirën që ndodh ndër ne. Banori i një fshati ndërtonte i vetëm shkallët e gurta për te kroi i përbashkët. Një djalosh emigrant kishte gdhendur në gur emrin e fshatit të tij dhe e kishte vendosur në krye të rrugës nga shkohet për atje. Disa njësi vendore kanë ndërmarrë nismën e pastrimit të varrezave. Mund të duken gjëra të vogla përballë rrugëve, urave, tuneleve që bën qeveria dhe firmat e mëdha ndërtuese. Aspak. Këto janë si ato harlikët që mbajnë të lidhur “murin” e zhvillimit të vendit. Aq më tepër në kohën e një turizmi të vrullshëm, të shtegtimit nëpër male të turistëve nga e gjithë bota, të cilët nuk do të pinë ujë në gjurmë të kalit.

Na kanë folur për ndihmësmjekun e Selitës, Pashk Nikolli, që shihet ditë për ditë me çantën e ilaçeve në krah, nëpër fshatrat e zonës, shtëpi më shtëpi. Vite më parë rrugët e malësive përshkoheshin kështu në këmbë me sakrifica nga mësuesit, punonjësit e mjekësisë, të pyjeve, të bujqësisë, minierave, të policisë e të tjerë, kurse sot numri i atyre që e bëjnë këtë gjë është tejet i paktë. Në fshatin Domgjon, që e ka mbuluar gjelbërimi aq sa mezi duken shtëpitë, ndalojmë në oborrin e një kulle të fillimeve të shekullit XX, të cilën i zoti dëshiron me e rikonstruktue: u “kalbëm” në Kënetën e Durrësit, thotë ai, kështu që dhe pak e pas daljes në pension dua të kthehem më gjithë grua gjashtë muajt e verës, fëmijët të vazhdojnë ëndrrën e vet.

Nëpër Hebe, Sërriqe, Mollkuqe, Shënmëri, Vaspas, njerëzit e Fanit merrnin rrugën e Gjakovës, kurse nëpër Qafën e Komit hidheshin në lumë e mbërrinin në Prizren. Atëherë drejtimi i tyre ishte veriu, fanorët bëhen jo pak të dëgjuar matanë Morinit e Pashtrikut ku bëhen të shtëpisë, kurse deti ishte diçka ende e largët si një “Mollë e Ndalueme” për malësorët. Kurse tash tridhjetë vjet është krejt e kundërta, ata morën teposhtë për kah deti për një jetesë më të mirë. Askush nuk mund të parashikojë sesi do të jetë e nesërmja, ama e sotmja këtu është pa histori. Ajo sikur ka ngrirë në këtë kodër që mban një emër të çuditshëm, Moknushë. Në qafën e saj është një krua, që as e shton e as e pakëson ujin e tij dimër as verë, si të gjithë burimet e bjeshkëve, ku pi ngapak me dorën e bërë kupë. Aty mund të mbledhësh një dorë manadredhësa të kuqe kokërrvogla me atë shijen e “vjetër”, që nuk e kanë kurrësesi ato kokërrmëdhatë, që blejmë në marketet e Tiranës.

Vërtet dikush rikthehet te kulla e lënë shkret, më së shumti për nostalgji, si për të përmbushur “amanetin” e të parëve, por kjo është ende pak. Pa dashur të bëjmë profecinë e së keqes, me këtë trend ikjesh, ku nxiton të ikë dhe njeriu i fundit, nëse nuk do të ketë një tjetër strategji zhvillimi urbano-rural, ka gjasë që për një dhjetëvjeçar të mos kemi më bashki në Mirditë, Pukë, Fushë – Arrëz, Has, Tropojë, por mbase ndonjë “rajon bashkiak” që do të administrohet nga Shkodra apo Tirana. Sepse a mund të ketë bashki pa banorë? Sado të mbahen sekret shifrat e censusit të fundit të popullsisë, nuk mbahen sekret ikjet e përditshme. Dikush po thoshte se mbi 50 familje nuk i regjistrojnë në shtator fëmijët në shkollat e Rrëshenit etj.

Ja pse mendohen këto male të larta!