As Irani e as Izraeli ende nuk kanë dalë me deklarata zyrtare për sulmin e fundit në Isfahan.
Madje, gjatë gjithë ditës, zyrtarët iranianë duket se po mundohen ta zvogëlojnë sulmin, duke thënë se shpërthimet e dëgjuara ishin nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Iranit.
Gjenerali iranian, Siavash Mihandoost, tha se nuk ka dëme të shkaktuara nga shpërthimet e sotme dhe se forcat e vendit kanë qëlluar një “objekt të dyshimtë”.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar për mediat e huaja se Izraeli e ka realizuar sulmin në shenjë hakmarrjeje ndaj aksionit ushtarak të 1 prillit nga Irani, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Por pse Irani po mundohet ta minimizojë sulmin?
Kjo pasi përgjigja e Teheranit ka qenë shumë e qartë.
Para se ky sulm të ndodhte, iranianët thanë se edhe provokimi më i vogël i Izraelit do t’i çojë ata në një përgjigje të ashpër.
Pra, nëse ata e pranojnë se vendi i tyre është sulmuar, atëherë ata do të ndihen të detyruar t’i përgjigjen atij.
Fakti që ata po mundohen ta zvogëlojnë e ta fshehin sulmin, nënkupton se nuk po dëshirojnë t’i zbatojnë skenarë të cilët do të përshkallëzojnë luftën në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/