Site icon Telegrafi

Pse heshta kur Arshi Pipa më quante konformist me regjimin?

Ismail Kadare

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka sjell për lexuesin veprën “Politikë dhe letërsi: Paradigma Gramshi”, një studim i koncepteve, veprës dhe jetës së një figure të lartë intelektuale si Antonio Gramshi. Vepra është lënë në dorëshkrim nga Arshi Pipa në anglisht, si një vepër “gati për botim”, por pa mundur të botohet deri sot. Nga leximet që i janë bërë tekstit, mendohet se mund të jetë përfunduar rreth viteve 1985-1986. Vepra ka ardhur në shqip nën përkthimin e Majlinda Bashllarit.

Vetë Pipa tregon zgjerimin e interesit të tij ndaj Gramshit, i cili fillimisht ka qenë i kufizuar vetëm për kritikën letrare. “Qasja ime letrare ndaj mendimtarit të Sardenjës dhe liderit të Partisë Komuniste italiane, gradualisht u zgjerua në përfshirjen e veprës së tij të plotë. Ky libër është rezultat i dy dekadave mësimdhënie dhe studimi, periudhë gjatë së cilës mahnitja ime e fillimit ia la vendin një vlerësimi më të kthjellët dhe objektiv të figurës së tij si një mendimtar e lider marksist”, shkruan vetë Pipa në parathënie.

Por, korpusi i veprës së Pipës është mjaft i gjerë, duke krijuar nga larg një institucion të kritikës letrare shqipe, një shkollë mendimi. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, e vlerëson veprën e Pipës si të pashmangshme për të kuptuar mendimin shqiptar të kohës. Më poshtë po botojmë një pjesë nga cikli i bisedave që ai ka bërë me studiuesen Alda Bardhyli.

Si do ta vlerësonit figurën e Arshi Pipës në terrenin kulturor shqiptar?

Pa dyshim që Arshi Pipa është një studiues tepër i shquar për kulturën shqiptare. Pjesa kryesore e rezervave të tij ndaj regjimit komunist pa dyshim qëndron, madje tani, pas rrëzimit të këtij regjimi, del nevoja që vepra e tij të studiohet më thellë. Një pikëshikim i thellë dhe objektiv do ta zhvishte atë nga disa dëmtime që i janë shkaktuar prej studimeve, shpesh pasiononte, siç ndodh shpesh nga ithtarët e autorëve. Duke pasur plotësisht të drejtë në analizën kryesore të veprës së tij, për fat të keq kjo analizë e humbet thellësinë e saj, kur bëhet disa herë e njëanshme dhe ndikohet nga skematizmi politik, në gjykimin e një pjese të letër- sisë shqipe. Letërsia shqipe natyrisht me kalimin e kohës duhet të bëhet sa më e ndërgjegjshme për cektësinë e saj, lidhur me gjykimin e regjimit komunist, por nga ana tjetër duhet të kërkohen me ndershmëri rastet kur ajo ka guxuar të shfaqë në mënyrat e saj rezervat ndaj regjimit.

Kjo e nderon thellimin e mendimit shqiptar për letërsinë. Nga të gjitha letërsitë e vendeve lindore që ranë në robërinë politike të sllavizmit, letërsia shqipe ndoshta ka qenë më e përparuara, në mohimin e saj të përgjithshëm, duke vënë në dukje dobësitë e tij. S’ka pse t’i mohohen kësaj letërsie rastet kur ajo është përpjekur të shkëputet nga skllavëria, duke rrezikuar rëndë veten e saj. Në tablonë e përgjithshme botërore të letërsisë së quajtur realizmi socialist botëror, letërsia shqipe ka shumë faqe që e turpërojnë, por nga ana tjetër ka shumë faqe të tjera që e nderojnë. Duke i vënë këto në dukje, ne do të jemi të drejtë me gjykimin e pasurisë shpirtërore të një populli, që u krijua në kushte shtypjeje të pabesueshme.

Të kthehemi sërish te Pipa. Ai ka qenë një nga zërat kritik ndaj jush, kam parasysh shkrimin e njohur “Fenomeni Kadare – subversion në komunizëm”, ku ju quan një konformist, duke pranuar botëkuptimin stalinist … Megjithatë, ju nuk i jeni përgjigjur asnjëherë. Si mund ta lexojmë sot heshtjen tuaj?

Nuk është e vështirë të bëhet një gjë e tillë, d.m.th., të heshtësh. Pjesa më e madhe e inteligjencës krijuese shqiptare, edhe pse mund të kritikohet për qëndrime të paplota pozitive, por nuk mund t’i mohohet përplasja e saj me regjimin, shpesh e heshtur po, por aq edhe e shprehur disa herë qartë përballë tij. Jam i bindur që me një gjykim të tillë do të ishte dakord vetë Arshi Pipa dhe ne, duke respektuar mendimin e atij që nuk është më, do të ishte mirë ta shtjellonim atë mendim edhe më gjerë.

Jeni takuar ndonjëherë me Pipën?

Fatkeqësisht jo. Them fatkeqësisht, sepse një takim me të do të ishte i vlefshëm, si takimi që kam pasur me Martin Camajn.

A folët për Pipën në këtë takim?

Jo. Arsyet mund të ishin të shumta përse nuk biseduam për të, ndër to, më kryesorja ndoshta, ishte se shteti shqiptar, duke qenë në dijeni për to, ishte në kundërshtim me shtjellimin e tyre. Jam përpjekur gjithmonë ta kuptoj mendimin e tij, sado që kjo ishte e vështirë të bëhej nga larg.

Kritikat e Pipës ndaj jush, janë kritika që vijojnë të artikulohen shpesh edhe sot në diskursin publik?

Kjo është një gjë e kuptueshme, sidomos në rastet kur një sistem i tërë politik bie në humnerë dhe dyshimet dhe enigmat për të vazhdojnë të mbeten për një kohë shumë të gjatë. Unë shpresoj që koha do të shërojë shumë gjëra, koha do të vazhdojë të sqarojë shumë gjëra.

Si duhet ta lexojmë sot Arshi Pipën?

Duhet ta lexojmë si pjesë e tablosë që arriti të dalë nga makina e censurës komuniste. Si e tillë ajo mund të shfrytëzohet në dobi të paraqitjes së nivelit kulturor të kombit shqiptar. Ka vetëm pak kohë që ka ardhur në shqip libri “Politikë dhe letërsi: Paradigma Gramshi” një studim i Pipës mbi trashëgiminë e Gramshit, të cilin Eric Hobsbawmi e quante një nga mendimtarët komunist më origjinal të shekullit XX … Qasja e tij ndaj një figure që ka elaboruar ndoshta më shumë idetë marksiste në arte, vjen si një kërkim i munguar i letrave tona … Unë e quaj një kërkim kulturor.

Bota komuniste që u përmbys në Shqipëri ka lënë gjurmë shumë të thella, me të cilat ne do të merremi gjatë. Këmbëngulja në këtë rast i bën mirë së vërtetës. Në këtë kontekst, thellimi ndaj jetës dhe tezave të Antonio Gramshit thjesht pasuron më shumë këndvështrimet evropiane mbi këtë vepër. Idetë e Gramshit, të ashtuquajtura marksiste për letërsinë dhe artet në botë, kanë pësuar një shterim të dukshëm. Ky proces do të jetë i vazhdueshëm e mendoj se është një proces i natyrshëm.

A shihni ju sot një shoqëri që po shkon drejt asaj që Gramshi e quante si thelbësore për progresin, që ka një prirje drejt një reforme morale dhe intelektuale?

Kjo prirje e mirë, është e pritshme, por jo aq e lehtë për t’u kryer, megjithatë ne të gjithë duhet të përpiqemi që ajo të mbërrijë. /Panorama/

 

Exit mobile version