Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se të shtunën do të protestojnë kundër shtrenjtimit të rrymës.
Molliqaj ka pohuar se protesta do të nis në ora 14:00, transmeton Telegrafi.
“Trafot e KEDS-it i shfrytëzuam për të vendosur thirrjen për protestën e së shtunës. Këto objekte dikur kanë qenë në pronësi publike, por u privatizuan në një proces shumë të dyshimtë. Sot, të gjithë mekanizmat shtetëror janë vënë në shërbim të KEDS dhe profiteve të saj. Prandaj këtë të shtunë në ora 14:00, #protestojmë”, ka shkruar kreu i PSD-së.
Ndryshe, edhe sot në Prishtinë është protestuar kundër shtrenjtimit të rrymës.
Në protestë qytetarët kanë kërkuar të mos aprovohet bllok tarifa e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe që të nacionalizohet Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kWh të dyfishohet. /Telegrafi/