Telegrafi

PSD, së shpejti me degë të reja nëpër komunat e Kosovës (Video)

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Aida Dërguti, në intervistën për Telegrafin tha se shumë shpejt PSD do të hap zyrat e saj në qytete të ndryshme të vendit.

Dërguti tha se për momentin janë duke punuar si parti në strukturimin dhe infrastrukturën e nevojshme të PSD-së.

Sipas saj, gjeneratat e reja dhe njerëzit e shkolluar kanë shfaqur interesim që të jenë pjesë e kësaj partie.

“Në këtë periudhë kemi punuar pa shumë zhurmë. Shumë shpejt besoj që gjatë muajit të ardhshëm do të fillojmë hapjen e  zyrave tona. Jemi marr po ashtu dhe me rifreskimet e dokumenteve bazë që ka PSD-ja. Jemi marr me krijimin e strukturave tona, dhe me infrastrukturën e nevojshme. Befasi e këndshme është edhe tek gjeneratat  reja dhe njerëzit e shkolluar që kanë synim që të vijnë tek ne”, ka thënë Dërguti.

Lexo po ashtu Dërguti: Qeveria Haradinaj është qeveri me katër kryeministra (Video)

Deputetja e PSD-së, Dërguti po ashtu foli edhe për qeverisjen lokale në komunën e Prishtinës.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje edhe pse i udhëheq disa drejtori në komunën e Prishtinës është duke luajtur rolin e opozitës.

Dërguti tha se kjo më shumë është luftë mes subjekteve politike, të cilat padrejtësisht përdorin kuvendin komunal.

“Kjo është luftë mes subjekteve politike, të cilat padrejtësisht përdorin nivelin komunal. Mendoj që është krejtësisht një nivel tjetër i qeverisjes dhe nuk do duhej të instrumentalizohet nga partitë, atje ku ka pushtet pasi dëmtohet interesi i qytetarëve”, tha ajo.

“Po e  shohim se çfarë po ndodh me Prishtinën, dhe se bllokadat e Prishtinës nuk janë në interes të qytetarëve të Prishtinës. Këtu do duhej të ishin konstruktive partitë politike. Aktualisht në Kuvendin komunal në Prishtinë, VV-ja është duke luajtur rolin opozitar, ndërkohë që ka disa drejtori dhe është në pushtet. Jam për ta kritikuar qeverisjen e Shpendit gjithmonë kur është në gabim”, theksoi deputetja Dërguti për Telegrafin. /Telegrafi/