Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka thënë se koalicioni mes AAK-së e Nismës jep shenja të fillimit të një fushate parazgjedhore
“Siç dihet është në dorën e shumicës parlamentare dhe Presidentes t’i shpallë zgjedhjet. Ato nuk mbahen matematikisht gjithmonë katër vite pas sepse mund të mbahen disa muaj më parë ose më vonë. Por, partitë fillojnë përgatitjen dhe mendojnë për rezultatin e zgjedhjeve qysh nga sot”, ka thënë Nushi në Tv Dukagjini.
Nushi ka thënë se nuk ishte i befasuar për koalicionin që bënë dje AAK dhe Nisma, derisa ka shtuar se e kishin ftuar edhe PSD-në që të bashkohet.
“AAK e ka thirrë PSD-në në koalicion. Ne i kemi falënderuar për ftesën sepse megjithatë është një lloj vlerësimi, jemi parti jashtë parlamentare. Kemi konsideruar që nuk e kemi vendin në një koalicion që po bëhet më shumë për arsye strategjike nga të dyja palët, sesa programore”, ka thënë ai.
Ai ka thënë tutje se këtë ftesë e kanë refuzuar mbi bazën se nuk kanë dashur që pika kryesore që bashkëpunojmë me subjektet politike të jetë rezultati apo hyrja në parlament.
“Besoj që në Kosovë ka nevojë për një opozitarizëm të njëmendtë, konsisent ndaj Kurtit, i bazuar në ide dhe pika kyçe siç është Asociacioni”, ka shtuar Nushi.
“Ne e kishim problem të futeshim në këso matematika që ndoshta mund të na sigurojnë disa vende brenda Kuvendit, duke ditur pjesët pozitive që i kemi si grup. Mirëpo, nuk ia vlen të sakrifikojmë atë që kemi arritur si PSD për disa rezultate më të mira dhe favorshme në zgjedhje”, ka shtuar ai.