Telegrafi

PSD reagon për reciprocitetin e targave: Si duket nuk po na duhet njohja nga Serbia

Foto: Arkiv

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas vendosjes së reciprocitetit për targat me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

PSD pavarësisht se e konsideron të drejtë këtë veprim, thotë se ngjarjet pasuese nuk janë pozitive për Kosovën.

“Veprimi me targat, sado korrekt që mund të duket, i kontribuon mirëmbajtjes dhe përjetësimit të problemit”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Ajo thotë se secili veprim i Kosovës duhet të jetë i drejtuar kah arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Ka rrezik që 10 vitet e ardhshme t’i humbim nën shenjën e ekstremit tjetër. Të sillemi sikur jemi të vetëmjaftueshëm, sikur nuk na duhet marrëveshja finale dhe njohja nga Serbia”.

PSD thotë se nëse qëllimi është reciprociteti shteti duhet të vazhdojë edhe me tregtinë që sipas tyre ka më shumë peshë.

“Nëse qasja e Qeverisë së re mbi dialogun i ngjan kësaj të targave, atëherë e dimë me siguri se nuk po shkojmë drejt një marrëveshjeje përfundimtare, por drejt një konflikti të përhershëm. Asnjë masë konkrete e asnjë marrëveshje nuk mund të vlerësohet si e izoluar dhe e pavarur”.

“Në situatën konkrete nuk duhet të lejojmë që asnjë veprim të na çorientojë nga qëllimi kryesor që është marrëveshja përfundimtare përmes njohjes reciproke. Secilin veprim e secilën sjellje duhet ta vlerësojmë karshi këtij synimi. Është tejet dekurajuese dhe nuk do të donim që betejat e gjeneratave të ardhshme të jenë të njëjta me ato që i luftuan prindërit tanë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së./Telegrafi/