Partia Socialdemokrate ka thënë se në Kosovë ka shumë njerëz të diskriminuar, duke kritikuar Qeverinë Kurti për kapje të shtetit shkaku i emërimeve të fundit në borde.
“Shumë padrejtësi e shkelje janë bërë, andaj edhe kemi shumë pakënaqësi të akumuluar. Të gjithë janë ndjerë të përfaqësuar me shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Borde këto të zgjedhura mbi baza partiake, nepotiste e klanore nga qeveria e kaluar.
Nuk vonoi shumë dhe u kuptua se këto veprime ishin veçse ushqim për propagandën. Mund të kemi tingëlluar pretencioz dikur, por për ne kjo nuk është befasi. Njerëz të korruptuar, njerëz të partisë kemi gjithandej, nëpër ministri e borde.
Kurti ka emëruar Enis Berishën drejtor në ‘Ndërmarrjen Publike Qendrore Infrakos – ShA’. Ky njeri është i fryrë në korrupsion e keqpërdorime: ka marrë 18 mijë euro paga të jashtëligjshme për vete, i ka aprovuar vetes udhëtime jashtë vendit në vlerë mbi 23 mijë eurosh. Artan Dermaku, i aderuar së fundi në VV është anëtar i bordit në të njëjtën ndërmarrje; Mentor Hyseni, ish kandidat për deputet, Kryesues i Bordit në Ujësjellësi Rajonal Prishtina; kurse Kujtim Shala që ishte po ashtu kandidat për deputet është zgjedhur drejtor në ‘Posta e Kosovës’ Sh.A”,thuhet në njoftimin e PSD-së.
PSD ka thekuar se ka diçka që i dallon kapësit e rinj nga të vjetrit.
“Këta vijnë me ‘tagrin legjitim’ të kapjes në emër të popullit. Për këtë popull di e flet vetëm partia teksa e konstrukton. E kanë thënë hapur madje se udhëheqjet e ndërmarrjeve duhet të jenë politikë. Hija e ‘funksionarëve’ të partisë po na sillet vërdallë në Kosovën e vitit 2020.
Fatkeqësia e ditëve tona është që e majta nuk ka arritur ende të zhvillojë një teori të re mbi shtetin.
Kjo që po e shohim tani është përsëritje e vagullt e përvojave të shekullit të kaluar. Kapja në emër të çkapjes, është në logjiken e njëjtë me diktaturën e partisë kundër shfrytëzimit dhe diktatit të kapitalit.
Një projekt kolektiv emancipues nuk duhet ta bëjë pjesë të vetes dhunën e ideologjinë e sistemit. Çfarë na duhet është ç’punësim i mekanizmit të kapjes, jo zëvendësim i kapësve”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/