Partia Socialdemokrate e Kosovës theksoi sot se Policia e Kosovës po e vazhdon propagandën që ka për qëllim kriminalizimin e protestës dhe arrestimin e dhunshëm të aktivistëve.
PSD thekson se Policia ka dezinformuar kur ka thënë se janë në mbajtje katër aktivistë, pasi sipas tyre aktivistët e arrestuar janë gjashtë.
“Policia ka dezinformuar dhe ka gënjyer. Ka dezinformuar kur ka thënë se janë në mbajtje 4 aktivistë. Aktivistët e arrestuar janë 6, emrat e tyre janë: Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Natyra Kuçi, Genc Sherifi, Frashër Krasniqi.
Gënjeshtra ndërkaq është e kulluar lidhur me rrjedhën e protestës. Ata thonë se janë lënduar 4 policë, por në fakt pamjet tregojnë se janë protestuesit që të shtrirë janë shkelur me këmbë. Evidenca mjekësore dëshmon po ashtu se ndihmë mjekësore kanë kërkuar Dardan Molliqaj dhe Gent Brahimi”, thuhet më tej.
PSD thekson se do të vazhdojë të kërkojë përgjigje në lidhje me vendimin e shtrenjtimit të rrymës.
“Mashtrimi, gënjeshtra e manipulimi i ZRrE-së tashmë u dëshmua edhe me dhunën policore që u përdor dje”, thuhet më tej.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje pas aksionit të së hënës të Partisë Socialdemokrate në Zyrën e Rregullatorit për Energji.
Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRRE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve, ndërkaq po ashtu thuhet se kanë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.
“Rr.Bekim Fehmiu, Prishtinë, 14.02.2022-11:20. Janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRRE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve. Gjatë arrestimit të dyshuarit kanë rezistuar me ç’rast katër zyrtar policor kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje. /Telegrafi/