Site icon Telegrafi

PSD mbështet grevën në sektorin publik: Qeveria Kurti haptazi lufton sindikatat e punëtorëve

Partia Socialedemokrate (PSD) me anë të një reagimi publik ka ofruar mbështetje për mbajtjen e grevës nga ana e punëtorëve në sektorin publik.

Sipas PSD-së, Qeveria që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, është e vetmja që haptazi neglizhon dhe lufton sindikatat e punëtorëve.

“Qeveria Kurti është e vetmja në historinë e Kosovës që haptazi neglizhon, përjashton dhe lufton sindikatat e punëtorëve. Ky pushtet që në opozitë protestonte bashkë me sindikatat, në pushtet është bërë armiku kryesor i tyre”, njofton PSD.

Ata kanë theksuar se qeveria ka rritur buxhetin dhe biznesi privat ka ngritur çmimet në kurriz të pagave të ulëta të punëtorëve.

“Zhvendosja ideologjike përkundër interesave të punëtorëve sjellë këso anomalie. Në krizat e njëpasnjëshme të cilat po i përjetojmë, humbësit e mëdhenj dhe të vazhdueshëm janë punëtorët e familjet e tyre. Qeveria ka rritur buxhetin, biznesi privat ka shtuar çmimet e fitimet, bankat po fitojnë miliona dividentë në kurriz të pagave të ulëta të punëtorëve”, theksohet në reagim.

Lexo po ashtu Miftaraj: Pezullimi i pagave për grevistët është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve

PSD-ja thotë se greva është plotësisht e ligjshme dhe se është domosdoshmëri.

“Andaj greva është plotësisht legjitime. Është edhe domosdoshmëri. Me rritjen e çmimit të çdo produkti, me rritjen e çmimit të rrymës, me reduktimet që do të vazhdojnë të përkeqësohen gjatë dimrit për faj të mosveprimit të qeverisë, jetesa në Kosovë është vështirësuar shumë”, thotë PSD.

Në fund, aty theksohet se punëtorët nuk ua kanë borxh askujt neglizhimin dhe shantazhimin që po bëhet nga qeveria.

“Punëtorët janë qytetarë të republikës. Mbi kurrizin e tyre po qëndron kriza e rritjes e çmimeve. Këta njerëz nuk kanë për borxh një qeveri që i neglizhon, i përbuzë, i shantazhon dhe kërcënon. Këta njerëz meritojnë dhe po kërkojnë të jetojnë dinjitetshëm”, përfundon reagimi. /Telegrafi/

Exit mobile version