Partia Socialdemokrate ka kërkuar sot që Kuvendi i Kosovës ndonëse në pushim, të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për rastin e prokurorit Elez Blakaj, i cili ka dhënë dorëheqje pas hetimit të listës së veteranëve.
Një kërkesë të tillë e bëri të ditur deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili në një konferencë për media tha se krerët e shtetit janë dakorduar për deklaratat e tyre drejtuar Elez Blakajt, pasi që këta të fundit nuk po merren me atë që ka thënë Blakaj, porse thjesht e quajnë atë frikacak.
“PSD kërkon një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi gati dhe duhen nënshkrimet edhe të partive të tjera. Më e pakta që mund të bëjmë ne si opozitë është të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë”, tha ai.
Sipas tij, reagimi i prokurorit Aleksandër Veseli, ndaj ftesës që prokurori Elez Blakaj i kishte bërë këtij të fundit për të dëshmuar, është dëshmi e një shteti të kapur.
“Ne kemi raste të kaluara kur deputetët janë ftuar për të dhënë deklarata… Aleksandër Lumezi është takuar edhe me Besim Beqajn, i cili ishte i përfshirë në aferën Pronto. Këtu aktualisht krijohet përshtypja se z.Lumezi është i kapur nga shteti e shteti është i kapur nga klani Pronto. Ne sot e pyesim z. Veselin se a ka marrë pjesë në këtë ftesën e prokurorit Blakaj, e në bazë të atyre që u thanë del se ai nuk është paraqitur për të dëshmuar. Në të njëjtën kohë e kemi edhe reagimin e kryeministrit Haradinaj, deklaratat e të cilit ishin jorelevante. Reagimi i tij është i papërgjegjshëm dhe joserioz”, u shpreh ai.
Natyra Kuqi, anëtare e Kryesisë në PSD, tha se afera Pronto nuk do të ishte e mundur pa një ‘pronto’ kryeprokuror.
“Afera pronto nuk do të ishte e mundur pa një pronto kryeprokuror. Skandali i fundit i rastit të veteranëve, fryrja e listave të veteranëve, është fenomen tipik neoliberal. Fatkeqësisht disa nga individët e përfshirë në këtë skandal kanë bartur barrën e luftës në Kosovë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, në Kosovë mund të ketë sistem të drejtësisë vetëm pasi që të ndërrohet klasa politike dhe pas ‘vettingut’.