Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimin e Partisë Socialdemokrate për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të datës 5 prill të Agjencisë për Informim dhe Privatësi deri në marrjen e aktgjykimit lidhur me kërkesëpadinë e paditësit, me të cilën vendim të AIP-së kjo parti ishte dënuar me 20 mijë euro për publikimin e të dhënave personale.
Telegrafi ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në të cilën bëhet e ditur se PSD ka ushtruar padi në gjykatë kundër vendimit të datës 5 prill të Agjencisë për Informim dhe Privatësi me të cilin ka kërkuar anulimin e vendimit të kontestuar si dhe ka propozuar shtyrjen e zbatimit të të njëjtit.
“Paditësi/propozuesi në propozimin e tij për shtyrjen e ekzekutimit ka theksuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të atakuar nuk do të ishte në kundërshtim me interesin publik pasi mospagesa e gjobës në asnjë mënyrë nuk mund të argumentohet se cenon interesin publik meqë për arkën shtetërore shuma prej 20 mijë euro është e papërfillshme financiarisht”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Ndryshe, Partia Socialdemokrate ditë më parë ka njoftuar se kanë paditur Agjencionin për Informim dhe Privatësi, pas dënimit me 20 mijë euro.
PSD përmes një njoftimi për media ka thënë se kanë bërë këtë padi, duke shtuar se vendimi i Agjencisë është politik.
Dënimi i PSD-së me 20 mijë euro për “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale” erdhi pas një aksioni të kësaj partie.
PSD ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për pagesën e kësaj gjobe. /Telegrafi/