Site icon Telegrafi

​PSD ironizon me Kurtin, hap referendumin për bashkim me Shqipërinë

Partia Socialdemokrate ka ironizuar me deklaratat e kryeministrit Kurti, duke e vendosur një pikë të votimit për t’i dhënë mundësinë atij që të votojë në referendumin për bashkim kombëtar me Shqipërinë.

Nol Nushi nga PSD, tha se e kanë përgatitur një vendvotim kastile për zotërinë e tij, por nuk erdhi.

“Kurti nuk votoi sot në referendum për bashkim. Ai po fshehet diku në labirintet e godinës shumëkatëshe qeveritare. Secili hap që e bën po na e kujton një hap tjetër që s’po e bën. Kauzat e braktisura janë hijet që po e ndjekin kryeministrin tonë në ekzil”, ka thënë Nushi.

Ai ka shtuar se një përpjekje shoqërore që nuk sjell progres, domosdo do të rezultojë me disponim cinik e arsyetim nihilist.

“Epilogu i angazhimit shumëvjeçar po kthehet në vendin e njëjtë. Kemi qerthull vetëpërsëritës ku pengesat nuk përballen, por shërbejnë si arsyetime për të mos bërë asgjë. Braktisja e kauzave ia humb kuptimin angazhimit politik. Është dorëzim i politikës tek reaksioni, tek suksesi individual. Ky është rasti i Kurtit, ky është mësimi i tij”, ka thënë Nushi. /Telegrafi/

Exit mobile version