Telegrafi

PSD: Frashër Krasniqi është sulmuar fizikisht nga djali i Tomë Gashit

Partia Socialdemokrate përmes një njoftimi për media ka thënë se është sulmuar fizikisht anëtari i kësaj partie Frashër Krasniqi.

PSD thotë se Krasniqi është sulmuar nga ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Albin Gashi, transmeton Telegrafi.

“Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njëjti, duke sulmuar shante Nol Nushin. Sharjet masive, kërcënimet e linqimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Lexo po ashtu Tomë Gashi flet pas lajmit se djali i tij ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin

PSD tutje ka theksuar se me këtë rast duhet të merret Policia e Kosovës.

“Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason. Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri.

Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet”.

Ndryshe, para disa ditësh një debat i ashpër ka ndodhur mes anëtarit të PSD-së, Nol Nushi dhe avokatit Tomë Gashi. Madje, Nushi e kishte lagur me ujë avokatin Gashin derisa ishin duke debatuar në një studio televizive./Telegrafi/