Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot një aksion simbolik lidhur me zgjedhjet në Kosovë, me mbishkrimin “I gjithë pushteti i sovjetëve”.
PSD thekson se kjo parullë, e përdorur para një shekulli përshkruan mirë domethënien e zgjedhjeve në Kosovë, ku në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare.
“’Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parrullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu”, thekson kjo parti.
“I njëjtë është procesi këtu. Në emër të luftës ndaj regjimit të vjetër po na përvidhet një “shpëtimtar”. Ky shpëtimtar para pak kohësh ndërroi statutin partiak dhe mori kompetencat për vete; pastaj, mësynë presidencën dhe e shndërruan në zyre partie; në radhe ishte sulmi ndaj KQZ-së; pastaj erdhi slogani ‘krejt pushteti sovjetëve’ në versionin kosovar. Të gjitha për liderin suprem! Populli është një, vullneti i tij trupëzohet tek lideri suprem”. /Telegrafi/