Partia Socialiste do të nisë të enjten procedurat e shkarkimit të Presidentit, Ilir Meta, pas vendimit të tij për të shfuqizuar dekretin për caktimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali, tha në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS se vendimi i Presidentit ishte një akt burtal ndaj Kushtetutës.
“Të enjten në seancë plenare të zhvillohet një debat i gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentet se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion të padëgjuar. I takon Kolegjit Zgjedhor apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta shqyrtojë juridikisht këtë vendim. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion, dhe Parlamenti do të nisë procedurat e shkarkimit të Presidentit. Sigurisht që do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të marrë vendimin përfundimtar, po kjo nuk na pengon që të nisim procedurat”, tha Spiropali.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të sqaruar vendimin e tij në lidhje me anulimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor. /A2/Telegrafi/