Site icon Telegrafi

PS përshpejton procedurën për shkarkimin e Ilir Metës

Mazhoranca ka vendosur të përshpejtojë procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra. Fillimisht, u planifikua se Komisioni Hetimor Parlamentar që do të hetonte shkeljet e Metës do të kishte një axhendë të ngjeshur, por situata ka ndryshuar. Pak ditë më parë u bë me dije nga anëtarët se në mbledhje do të shqyrtoheshin të gjitha informacionet dhe provat që 7 institucionet i kishin dërguar Komisionit Hetimor, ndërkohë që pas shqyrtimi të tyre do të merreshin në pyetje edhe dëshmitarët.

Mirëpo, gazeta Sot mësoi se mazhoranca ka ndryshuar strategji për të mos humbur kohë për këtë çështje. Burime të sigurta pohuan se nuk do ketë thirrje dëshmitarësh në komision për të dëshmuar e për t’u marrë në pyetje. Po ashtu, të njëjtat burime theksuan se përgjigjet që 7 institucionet i kanë kthyer komisionit do të shqyrtohen në një ose dy mbledhjet e ardhshme, në mënyrë që të mos humbet kohë. Ndërkohë, gazeta mësoi se si provë kundër presidentit Ilir Meta, komisioni hetimor do të marrë edhe opinionin paraprak të Komisionit të Venecias, në mënyrë që raporti final i hartuar prej komisionit të mos lërë shteg për interpretim.

Sipas informacioneve, mësohet se gjatë takimit që delegacioni i Venecias zhvilloi me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetët të mazhorancës në fokus të diskutimit ka qenë edhe çështja “Meta”, për të cilin premtuan se do të dërgojnë një opinion paraprak për Komisionin Hetimor. Kështu që, sipas asaj që pohuan burimet, raporti i hartuar nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra pritet që t’i shkojë më 9 tetor seancës plenare. Më pas, gjithçka do të varet nga Konferenca e Kryetarëve, e cila ka tagrin të vendosë se kur do të hyjë në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit shkarkimi i Metës. Megjithatë, sido që të shkojë puna, socialistët janë të vendosur për ta shkarkuar Presidentin Ilir Meta nga detyra brenda muajit tetor.

Ajo që e vërteton më së miri se Presidenti Ilir Meta i ka ditët e numëruara në Presidencë është vendosmëria e mazhorancës për t’i shkuar deri në fund nismës së saj për shkarkimin e tij nga detyra. Përveç kryeministrit Edi Rama dhe shumë zyrtarëve të lartë, të cilët janë shprehur hapur se Meta nuk e meriton të jetë President i Republikës së Shqipërisë, dje edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dha një sinjal të kësaj natyre.

Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, Kodheli ritheksoi se Partia Socialiste është e vendosur për të shkarkuar Metën nga detyra, duke respektuar procedurat ligjore.

“Si mazhorancë ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund dhe mendoj se këtë do ta bëjmë në zbatim të ligjit. Opozita ka bërë një gafë të madhe duke u larguar nga Kuvendi. E kanë kuptuar vonë se ajo ishte një gafë. E ka bërë me pavetëdije, por nëse e ka bërë me vetëdije, kjo është shumë e dënueshme. Ky është një hap i mirë. Nuk e kemi frikën e përballjeve elektorale. Është populli që do të gjykojë në fund të ditës, por duhet të ketë rregulla demokratike të respektuara nga të gjithë. Përballja na rrit përgjegjësinë për të punuar më mirë”, deklaroi kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli. /Sot/

Exit mobile version