Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Olsi Albarjami, 29 vjeç nga Elbasani, i cili është goditur nga protestues të tjerë me pretekstin se ishte punonjës policie dhe ishte i infiltruar në protestë.
Policia e ka arrestuar këtë shtetas “për kryerjen e veprave penale, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
“Ky shtetas gjatë protestës ka kryer veprime të kundraligjshme ndaj punonjësve të Policisë në detyrë, veprime të dokumentuara me pamje filmike. Më pas, ai është goditur nga protestues të tjerë me pretekstin se ishte punonjës policie dhe ishte i infiltruar në protestë. Veprimet e këtij shtetasi i ka publikuar në rrjetin social Facebook shtetasi Sali Berisha duke e etiketuar si punonjës policie”, njofton policia, transmeton TCH.
“Gjithashtu në lidhje me protestën e sotme janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 7 shtetas të tjerë për veprat penale të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e tyre edhe 4 shtetas të tjerë për veprat penale të “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, thuhet në njoftim.