Site icon Telegrafi

Veteranët e Dukagjinit: Nëse deri më 8 tetor nuk plotësohen kërkesat tona, protesta e radhës nuk do të jetë paqësore

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK) të rajonit të Dukagjinit kanë mbajtur një protestë tek Pallati i Drejtësisë, në Prishtinë në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarit të UÇK-së.

Veteranët kërkuan snga Gjykata Themelore të fillojë hetimin se kush është fajtori që publikoi ilegalisht të dhënat personale, të hidhet poshtë aktakuza për veteranët, si dhe prokuroria të kërkoj falje për dëmtimin e integritetit të veteranëve të luftës.

Sipas tyre, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre deri më 8 tetor, atëherë protesta e radhës nuk do të jetë paqësore.

“I drejtohemi Gjykatës Themelore, Prokurorisë, prokurorit Lumezi, që të fillojnë hetimit se kush është fajtori që publikoi ilegalisht të dhënat personale. Të hidhet poshtë aktakuza për veteranët, në afat kohor 8 tetor. Presim përgjigjen tuaj publike dhe për kërkim falje të prokurorisë për integritetin e veteranëve. Nëse nuk plotësohen kërkesat, protestat e radhës nuk do të jenë paqësore”, tha veterani Abdyl Mushkolaj.

Ai gjithashtu iu bëri thirrje të gjithë veteranëve që të mos iu përgjigjen thirrjeve të prokurorëve për aktakuzat e tyre të rrejshme.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mos iu përgjigjen thirrjeve të prokurorëve se aktakuzat  e tyre janë të rrejshme. Dhe nuk kemi nevojë t’i japim arsye dikujt për pjesëmarrje në luftën tonë”, kanë thënë tutje.

Ndryshe, protesta është e organizuar nga Organizata e Veteranëve të luftës të UÇK-së të Dukagjinit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version