Telegrafi

Protestojnë punëtorët e Monego-s, kërkojnë hapjen e degëve të kompanisë dhe kthimin në vendet e punës

“Duart lartë nga Monego”, “Na riktheni licencën”, “Atë që nuk na ofroi shteti, na ofroi Monego”, ishin disa nga kërkesat që punëtorët e institucionit financiar jo bankar Monego i kanë bërë para Bankës Qendrore të Kosovës.

Mbi 250 punëtorë të Monego, me anë të një proteste para BQK-së kanë kërkuar kthimin e tyre në vendet e punës dhe rihapjen e degëve të saja.

Të premten e kaluar, BQK kishte marr vendim që ta revokojë licencën për kompaninë Monego që lëshon kredi konsumuese, duke emëruar një administrator të Bankës Qendrore.

Aksionarët e Monego me anë të një reagimi, i kanë bërë thirrje administratorit të përcaktuar që menjëherë të hap degët e kompanisë për të shërbyer kreditë e dhëna.

“Pezullimi i degëve nënkupton që klientët nuk janë në gjendje të përmbushin detyrimet e tyre të kredisë, duke shkelur kështu kontratat e tyre. Vendimi i administratorit për të pezulluar degët, krijon gjithashtu një pasiguri pune për 250 punonjësit e kompanisë, të cilët janë në mënyrë kritike të nevojshëm për të shërbyer portfolion ekzistues të kredisë”, thuhej në reagimin e aksionarëve.

Po ashtu, Monego në këtë njoftim kërkon rikthimin e punëtorëve në vendet e punës.

Lexo po ashtu Aksionarët e Monego-s: Administratori i caktuar nga BQK duhet të hapë menjëherë degët e kompanisë

“Monego aktualisht punëson 250 persona në të gjithë rajonin e Kosovës, mosha mesatare e të punësuarve të kompanisë është 25 vjet. Me qëllim që këta njerëz të mos humbasin punën e tyre, aksionarët e kompanisë po i bëjnë thirrje administratorit të ri-hapë kompaninë veçanërisht duke pasur parasysh shkallën e papunësisë së vendit prej 30 për qind dhe shkallën e papunësisë tek të rinjtë prej 50 për qind”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/