Site icon Telegrafi

Protestojnë gastronomët, ‘dorëzojnë’ çelësat para Qeverisë së Kosovës për shkak të kufizimeve

Protesta e gastronomëve kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizim të orarit të punës | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Gastronomët e Kosovës sot kanë protestuar para Qeverisë për të kundërshtuar kufizimet që u janë vendosur me qëllim të parandalimit dhe përhapjes së pandemisë COVID-19, pasi sipas tyre kanë ndikuar në mbylljen e shumë bizneseve.

Ata përmes një aksioni simbolik para Qeverisë së Kosovës kanë dorëzuar çelësat e bizneseve të tyre.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës me vendimin për kufizim të orarit ua ka vështirësuar punën e tyre.

“Sot është një aksion simbolik, po ua japim çelësin tonë se me vendimet e juve, ju na keni vendosur çelësin. Nëse qëllime tona nuk arrihen, ne nuk ndalemi. Presim përkrahje për atë se çfarë kemi kontribuar për 20 vjet. Nuk na dilni në përkrahje për tre muaj, marre. Ne dalim për idarën tonë e që po del të jetë idarja e juaj. Kur ne nuk jemi mirë, nuk janë mirë as prodhuesit vendor të pijeve, e as prodhuesit vendor të mishit, importues të kafeve, dizajnerët, sallonet e bukurisë, floktarë, bujqit dhe plotë sektorë të tjerë”, tha Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, përcjell Telegrafi.

Ai ka kërkuar që të miratohet rishikimi i buxhetit më qëllim që të përkrahen bizneset.

“I bëjmë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që ta kalojnë buxhetin, ndihmoni bizneset, sepse është koha e fundit që mund ta tregoni vetën. I bëjmë thirrje Qeverisë që të kthehet orari i punës deri në ora 24:00”, tha ai.

Kllokoqi ka treguar edhe cilat janë kërkesat e tyre që Qeveria e Kosovës duhet t’ua plotësoj.

“Kërkesat tona janë, subvencioni i pagave, mbulim i 50 për qind të qirasë, shtyrje të pagesave dhe deklarimeve, riprogramim të kredive dhe ulje të normës së TVSH-së në 8 për qind. Për sallat e dasmave që nuk kanë punuar këtë vit, kërkojmë rimbursim të tatime të paguara nga këto biznese”, përfundoi Kllokoqi.

Qeveria e Kosovës në fillim të muajit korrik, kishe marr vendim që të gjitha lokalet do të mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Puna është lejuar vetëm për ato biznese që punojnë në hapësira të hapura dhe ato “take away”, apo “merre me vete”. /Telegrafi/

Protesta e gastronomëve kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizim të orarit të punës | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Protesta e gastronomëve kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizim të orarit të punës | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Protesta e gastronomëve kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizim të orarit të punës | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Exit mobile version