Aktivistë dhe qytetarë sot pasdite nisën me protestë. Ata protestuan kundër djegies së deponisë ‘Rusino’ dhe funksionimit të saj me qëllim që t’ia tërheqin vëmendjen opinionit dhe institucioneve për rrezikun që po e shkakton deponimi i pakontrolluar i mbeturinave në afërsi të Gostivarit.
Nisma qytetare ‘Stop Rusino, ajër të pastër për Gostivarin’ mbajti protestë të qetë me automjete, njofton Telegrafi Maqedoni.
Një protestë e tillë me automjete është e dyta me radhë në Gostivar dhe është kundër djegies së deponisë dhe kundër ndotjes enorme të ajrit. Aktivistët kërkojnë edhe zhvendosje të deponisë rajonale, për shkak se, sipas tyre duhet të merr fund helmimi i gostivarasve.
“Rusino është vrasës i heshtur dhe ndot gjithë rajonin e Gostivarit. Shëndeti është në rrezik, mjedisi jetësor është shkatërruar. Kërkojmë të mbyllet deponia dhe një herë e përgjithmonë ky problem të zgjidhet”, tha një nga aktivitet e kësaj nisme./Telegrafi/