Site icon Telegrafi

Protestat studentore të 1997-së, kryeministri Kurti homazhe para varrit të profesorit Ejup Statovci

Në 24- vjetorin e protestave studentore dhe në nderim të veprës së profesorit Ejup Statovci, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vënë kurora të freskëta lulesh dhe ka bërë homazhe para varrit të tij.

Në kujtim të protestës studentore paqësore të 1 tetorit 1997, kryeministri Kurti së bashku me familjarët e profesorit Statovci, profesoreshën Drita Halimi Statovci dhe Anila Statovci, me profesorin Ahmet Geca, si dhe pjesëmarrësit e tjerë të kësaj proteste, ministrin Xhelal Sveçla, zëvendësministrin Hysen Durmishi, Bujar Dugollin, Fatban Bunjakun, Jeton Rexhën, Lulëzon Jagxhiun, Mentor Bogajn, Milot Cakajn, Mihane Salihun, dhe Veton Demajn, nderuan ish rektorin e Universitetit të Prishtinës, profesorin Ejup Statovci, drejtues i universitetit të vetorganizuar shqiptar dhe intelektual që priu në protestat e 1997-ës.

“Duke evokuar kujtime të viteve e ’90-ta, të rezistencës aktive dhe përpjekjes për liri, u vlerësua akademiku i rezistencës dhe juristi i qëndresës, që ishte në ballë të universitetit më 1991, kur duhej rifilluar ai si i pavarur prej pushtuesit serb, pas dëbimit nga objektet zyrtare të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version