Dhjetëra qytetarë kanë vazhduar të protestojnë edhe sot para hyrjes së objektit të menaxhmentit të “Trepçës” në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me mos shkarkimin e menaxhmentit të “Trepçës” nga ana e qeverisë së vendit, si dhe me riemërimin e njërit nga anëtarët e vjetër të bordit, në bordin e ri.
Arsim Musa, nga këshilli protestues, ka bërë të ditur se riemërimi i Shyqyri Sadikut në bordin e ri, për ta është i papranueshëm.
Sipas tij, protestuesit do presin këtë javë shkarkimin e menaxhmentit dhe përmirësimin e vendimit për emërimin e Shyqyri Sadikut anëtar të bordit, në të kundërtën paralajmëruan vazhdimin e protestave, deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre.
“Qeveria e Kosovës ka ndërmarr hapat e duhur qysh në fillim, k a bërë shkarkimin e bordit, mirëpo ne nga fillimi kemi pasur marrëveshje se në bordin e ri të mos emërohet asnjë njeri nga bordi i kaluar sepse për shkak të performancës së dobët dhe keq menaxhimit, ata janë shkarkuar. Qeveria nuk e di me vendim të drejtë apo të padrejtë, të premten e kaluar në bordin e ri e ka riemëruar Shyqyri Sadikun, i cili është i papranueshëm për ne. Po presim këtë javë që të shkarkohet ky menaxhment dhe të bëhet përmirësimi i këtij aktvendimi që është në kundërshtim me vetveten”, ka thënë Musa, për KosovaPress.
Protesta që zgjati rreth gjysmë ore u zhvillua e qetë, ndërsa pjesëtarë të policisë kanë vëzhguar gjatë gjithë kohës situatën nga afër.