Telegrafi

Protestat, mesazhe për investitorët

Pamjet nga protesta e fundit rrezikojnë ta dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të kontaktuar nga gazeta “Epoka e re”, disa analistë kanë thënë se dhuna e protestuesve ndaj Policisë së Kosovës, lëndimet e pjesëtarëve të saj dhe të disa pjesëmarrësve në këtë protestë, kanë përçuar mesazhe negative edhe për ambientin e të bërit biznes në Kosovë. Ndërsa ka edhe analistë të cilët kanë thënë se me protesta populli i Kosovës hyn në rangun e popujve perëndimorë dhe barazohet me imazh.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se qytetarët me të drejtë po kërkojnë protesta dhe mund të protestojnë, por assesi ajo e drejtë e tyre nuk bën të shprehet në padrejtësi ndaj të tjerëve, duke u shndërruar në dhunë dhe demolim të objekteve shoqërore e private.

“Nëse protesta vazhdon dhe do të jenë të dhunshme, duke shkatërruar gjithçka para vetes për t’i arritur objektivat e tyre protestuesit, atëherë ajo nuk është protestë, por demonstratë”, ka thënë Shahini. Ai ka deklaruar protestat e dhunshme do t’i dëmtojnë Kosovën dhe imazhin e saj ashtu siç ka ndodhur në protestën e fundit. “Protestat e dhunshme e dëmtojnë imazhin e Kosovës për të bërë biznes, duke bërë kështu që investitorët ta kenë të vështirë të investojnë në Kosovë, si një vend ku s’mund të ketë siguri”, ka deklaruar Shahini.

Ndërkaq Alban Zogaj nga Instituti RIINVEST ka thënë se protesta e fundit tregon destabilitetin politik të Kosovës. Sipas tij, çdo destabilitet politik dërgon mesazhe negative tek investitorët potencialë. “Normalisht se protestat e fundit ishin të dhunshme dhe do të kenë pasoja negative tek investitorët potencialë në Kosovë, për arsye se këto protesta të dhunshme tregojnë se situata politike është e destabilizuar dhe mund të shpërthejë në çdo kohë dhe e tëra kjo bën që investitorët të tkurren dhe të jenë të kujdesëm ndaj këtyre situatave”, ka thënë Zogaj.

Ndryshe është shprehur analisti Shpend Kursani. Ai ka bërë me dije se nuk ka ndonjë studim apo rast në botë, kur protestat kanë ndikuar negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Në Francë apo Gjermani ndodhin dhjetëra protesta të dhunshme në ditë, mirëpo atyre vetëm sa u shtohen investitorët. Ky fakt tregon se protesta nuk qenka shkaku i largimit të investitorëve. Në të njëjtën kohë Kosovës nuk i vinin investitorët edhe para se të ndodhnin këto protesta. Pra, fakt ky tjetër që tregon se protestat nuk janë shkaktare të largimit të investitorëve, por është mungesa e sigurisë dhe transparencës, gjegjësisht haraçi që u vihet atyre nga njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin”, ka thënë Kursani. /Epoka e Re/Telegrafi/