Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi sot se dënimi i “Maidanit” të parë ose të dytë ukrainas në Serbi është e barabartë me dënimin e Kryengritjes së Parë ose të Dytë Serbe dhe se është e papranueshme të paraqitet zgjedhja evropiane e ukrainasve në një kontekst negativ.
“Në hapësirën politike dhe informative të Serbisë, përmendet sërish Revolucioni i Dinjitetit në Ukrainë (Maidan), i cili shpesh tentohet të ketë vlerësime negative. Dënimi i Maidanit të parë apo të dytë ukrainas në Serbi është i barabartë me dënimin e Kryengritjes së Parë apo të Dytë Serbe, të cilat gjithashtu përfaqësojnë revolucione të dinjitetit të popullit serb dhe që e ngritën shtetin serb nga hiri”, thuhet në njoftimin e ambasadës ukrainase.
Kjo e fundit deklaroi se shteti i Ukrainës në asnjë mënyrë nuk ndërhyn në situatën e brendshme politike në Serbi dhe se “konsideron përpjekje të papranueshme për të shtrembëruar historinë e Ukrainës, veçanërisht duke e paraqitur zgjedhjen e vetëdijshme evropiane të popullit ukrainas në një kontekst negativ”, raporton danas.
“Ne duhet të tërheqim edhe një herë vëmendjen për faktin se problemi i Ukrainës dhe Evropës nuk është zgjedhja evropiane e popullit ukrainas, por agresioni rus kundër shtetit sovran dhe të pavarur të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Ambasada shtoi se “bazohet në dënimin publik të agresionit brutal të Rusisë, udhëheqja e së cilës vendosi të nisë një luftë të gjithanshme kundër Ukrainës për ta ndëshkuar atë për dëshirën e saj për liri dhe zgjedhjen e rrugës së saj, me një shkelje brutale të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare – pavarësia politike dhe integriteti territorial i shteteve”.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ditët e fundit është bërë shpesh cak i akuzave se po përgatit një “Maidan”, një term i përdorur për të rrëzuar qeverinë me demonstrata masive, si ato properëndimore në vitin 2014 në sheshin Maidan të Kievit. /Telegrafi/