Telegrafi

Protesta të dhunshme në Van – kurdëve u mohohet fitorja, AKP-ja e Erdoganit nuk e dorëzon pushtetin

Partia pro-kurde e Turqisë ka kundërshtuar edhe sot vendimin që anulonte zgjedhjen e kandidatit të saj për kryetar bashkie në qytetin lindor Van, pasi vendimi i bordit zgjedhor shkaktoi përplasje.

“Ne kundërshtuam që Bordi i Lartë Zgjedhor të anulonte kandidaturën e kryetarit të bashkisë sonë të qytetit të madh të Van, Abdullah Zeydan dhe t’i jepte mandatin kandidatit të AKP-së”, njoftoi partia DEM.

Abdullah Zeydan i DEM-it kishte marrë mbi 55 për qind të votave në Van në zgjedhjet lokale të së dielës.

Lexo po ashtu Trazira në qytetin turk të Vanit - fituesit nuk i dorëzohet komuna, por partisë humbëse të Erdoganit

Por komisioni rajonal zgjedhor tha se ai nuk ishte i përshtatshëm për të kandiduar, duke ia dorëzuar bashkinë një kandidati nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, i cili fitoi vetëm 27 për qind.

Vendimi i tyre pasoi anulimin në minutën e fundit të një vendimi gjyqësor që i kishte rikthyer të drejtën për të kandiduar në zgjedhje.

Zeydan, i cili ishte zgjedhur me biletën e HDP-së (tani DEM) në vitin 2015, u arrestua në vitin 2016 pasi kritikoi fushatën ajrore të ushtrisë turke kundër militantëve kurdë të jashtëligjshëm në juglindjen me shumicë kurde.

Protestat e dhunshme kundër rrëzimit të tij zgjatën gjatë natës në provincën Van, e cila shtrihet në kufirin lindor të Turqisë me Iranin.

Zyra e guvernatorit lokal ndaloi të gjitha demonstratat për 15 ditë pasi përleshjet e dhunshme u përhapën në disa qytete të rajonit, me disa protestues që u vunë flakën barrikadave të policisë.

DEM-i, i akuzuar nga autoritetet për lidhje me PKK-në, të dielën ka shpallur fitoret në qyteteve të mëdha në juglindje të Turqisë me shumicë kurde, duke përfshirë qytetin më të madh të rajonit, Diyarbakir.

Lëvizja është gjithashtu partia e tretë më e madhe në parlamentin kombëtar të Turqisë.

Partia tjetër opozitare CHP, e cila bëri fitime të mëdha në zgjedhjet lokale dhe mbajti kontrollin e Stambollit dhe qyteteve të tjera të mëdha, ka mbështetur DEM në betejën e saj kundër pushtetit të Van. /Telegrafi/