Shtatë persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ditën e djeshme para Parlamentit.
Në njoftimin për shtyp, Policia bën të ditur se “veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor”.
Sipas policisë, janë proceduar në gjendje të lirë dhe 14 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu, policia bën të ditur se është proceduar penalisht edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, si organizator i protestës.
Të arrestuarit janë nga mosha 20-vjeç deri 49-vjeç dhe që janë banues në Tiranë, Elbasan dhe Malësi të Madhe.
Policia shtoi se po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.